Elbasani i Kategorisë së Parë dje mori jetë zyrtar isht. Rreth 30 futbollistë u vunë nën urdhrat e trajnerit Nevil Dede. Seanca e parë u zhvillua nën një atmosferë elektrizuese nga prania e tifozëve të shumtë.
Ishin të pranishëm të gjithë lojtarët e afruar në këtë merkato vere, përveç Abaz Karakaçit (ishkapiteni i Kastriotit kishte arsye familjare).

Surpriza të tjera nuk kishte, ndërsa nuk munguan as disa elementë që do të jenë për provë. Ata do të shihen përgjatë këtyre dy javëve nga ana e stafit teknik, i cili do të vendosë nëse do ta fitojnë një kontratë ose jo.

Lista e të pranishmëve ne stërvitje;

KRYEBASHKIAKU

I pranishëm në këtë seancë të parë stërvitore ishte edhe kryebashkiaku Gledian Llatja, i cili uroi ekipin për sezonin e ri. Ai theksoi se mbështetja nga bashkia nuk do të mungojë, teksa i gjithë qyteti i ka sytë te ky ekip.

“Kur e nisëm para dy vitesh, ishin të shumtë skeptikët që mendonin se nuk do t’ia dilnim, por ja ku jemi sot. Jemi një qytet i tërë që mezi presim të hipim në Superiore, të luajmë në Kupat e Europës dhe kompeticione të rëndësishme.

Si kryetar bashkie kam qenë gjithnjë suportues ndaj sportit dhe futbollit. Ju nuk keni vetëm mbështetjen e kryetarit të bashkisë, por të një qyteti që e do futbollin. Presim një stadium plot dhe ju uroj shumë suksese. Na vaftë mbarë të gjithëve”, u shpreh Llatja në takimin që zhvilloi me ekipin. Ishte iniciativa e tij, që para dy vitesh të krijohej një ekip i ri në këtë qytet, që i dha frytet menjëherë.


TRAJNERI

Sakaq, tekniku Nevil Dede pohoi për mediat se është i kënaqur me afrimet e bëra deri tani, ndërsa ende presin të përforcohen me të tjerë lojtarë.

dede elbasani

“Sa më shumë të kënaqet qyteti, aq më shumë kënaqem edhe unë, tifozët dhe klubi. Besoj që ia kemi arritur në masën 90% sa i përket merkatos. Arritëm të bindim lojtarët me mbështetjen e klubit, presidentit dhe dashamirësisë së madhe të kryetarit të Bashkisë së Elbasanit.

E mira nuk ka fund sa u përket lojtarëve. Në çdo moment ne do të mundohemi të përforcohemi me këta futbollistë që kemi këtu, por dhe me të tjerët”, u shpreh fillimisht Nevil Dede.

Në lidhje me pyetjen për objektivin e Elbasanit këtë sezon, tekniku “bezdiset” që duhet ta ripërsërisë shpesh që Elbasani është i ndërtuar vetëm për t’u ngjitur në Superiore. “Është një dhe i vetëm, nuk e përsëris më objektivin”, u shpreh Nevil Dede, i cili nënkuptoi se nuk duhet të diskutohet më objektivi Superiore.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL