Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) ka raportuar një rritje të ndjeshme të numrit të pasagjerëve në nëntëmujorin e parë të vitit 2024, duke transportuar mbi 8,32 milionë pasagjerë – duke shënuar një rritje mbresëlënëse prej 55% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, sipas një artikulli të botuar në “Travel and Tour World”.

 

Kjo rritje e jashtëzakonshme e numrit të pasagjerëve thekson rëndësinë në rritje të Shqipërisë si destinacion turistik dhe biznesi në Evropë.

 

Vetëm në shtator të 2024, Aeroporti i Tiranës priti 1,1 milionë pasagjerë, duke reflektuar një rritje prej 47% në terma vjetore.

 

Këto shifra nxjerrin në pah rimëkëmbjen dhe zgjerimin e vazhdueshëm të sektorit të turizmit në Shqipëri – me Tiranën e cila është kthyer në një qendër kyçe për udhëtimet turistike dhe të biznesit në Ballkan.

 

Linjat ajrore: “Wizz Air” kryeson fluturimet

 

“Wizz Air” u shfaq si linja ajrore “lidere” – e cila i shërben Aeroportit të Tiranës nga janari deri në shtator të 2024, duke kryer 53,2% të fluturimeve.

 

Kompania me kosto të ulët ka zgjeruar me shpejtësi praninë e saj në Shqipëri, duke ofruar një gamë të gjerë fluturimesh të përballueshme drejt destinacioneve në të gjithë Evropën.

 

“Ryanair” pasoi me 22,1% të fluturimeve, duke ofruar kosto buxhetore për udhëtarët.

 

“Air Albania”, transportuesi kombëtar, mbuloi pjesën më të vogël të tregut me 3,7%, por mbetet një “lojtar” i rëndësishëm në lidhjet e Shqipërisë me destinacionet kryesore.atsh