Elbasani, qyteti me histori dhe tradita të lashta, e ka festuar gjithmonë Vitin e Ri me gëzim dhe atmosferë unike.
Krishtlindjet, që dikur festoheshin brenda një rrethi të ngushtë familjar për shkak të regjimit komunist, sot janë shndërruar në një festë të madhe, duke sjellë gëzim e ngrohtësi për të gjithë.
Qyteti i veshur me drita shumëngjyrëshe dhe dekorime mahnitëse, ndriçon që me rënien e muzgut. Qendra e tij, me muret e lashta të kalasë së Elbasanit dhe portën madhështore të saj, është shndërruar në një pikë tërheqëse për qytetarët dhe vizitorët.
Sheshi “Hans Ditrih Gensher” mbushet me lodra për fëmijët, shtëpiza festive që ofrojnë pije e ëmbëlsira për të gjitha moshat, dhe një pemë e madhe e Vitit të Ri që ngrihet si simbol i kësaj feste, duke ftuar këdo të bashkohet në atmosferën e gëzueshme.
Festimet në Elbasan janë bërë gjithnjë e më madhështore me kalimin e viteve. Këngëtarë të njohur, DJ dhe grupe vallëzimi krijojnë një koncert të pandërprerë që mbush qytetin me muzikë dhe hare. Atmosfera gjallëruese e bën qytetin të duket si një simfoni e vërtetë festive.
Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja tha për ATSH-në se “edhe këtë vit kemi nisur atmosferën festive që në fillim të dhjetorit. Janë organizuar shumë aktivitete për fëmijë dhe qytetarë të të gjitha moshave. Artistë vendas dhe të huaj kanë sjellë interpretime të veçanta në teatër dhe në sheshe, ndërsa dekoret e bukura kanë rrethuar çdo cep të qytetit. Çdo ditë qyteti gjallërohet më shumë, sidomos në mbrëmje”.
Një tjetër element i veçantë këtë vit janë lokalet, të cilat tashmë janë prenotuar plotësisht. Qytetarët elbasanas, nën ritmin e muzikës së këngëtarëve të ndryshëm, festojnë në lokale ku darkojnë me simbolin e Vitit të Ri, gjelin e detit.
“Këtë vit ka pasur një numër të madh kërkesash për prenotime edhe në lokalet në pikën turistike të Gjinarit, duke treguar interesin e madh për ta festuar ndryshe këtë ngjarje”, tha Llatja.
Aktivitete të shumta janë organizuar për fëmijët në qendrat e artit dhe në shkolla, ku këndohen këngë festive, recitohen poezi dhe krijohet një frymë dashurie për qytetin.
Elbasani është shndërruar në një shembull të shkëlqyer se si mund të ndërtohet një atmosferë festive që bashkon të gjithë qytetarët dhe vizitorët në një gëzim të përbashkët.atsh