Komitetit Ekzekutiv i UEFA-s ka zgjedhur Shqipërinë si një nga vendet organizatore të Kampionatit Europian U-21 të vitit 2027.

 

Komitetit Ekzekutiv i UEFA-s vendosi që Shqipëria dhe Serbia të organizojnë së bashku këtë Kampionat.

 

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në rrjetet sociale mesazhin e ambasadorit të FSHF për Euro 27, Andi Lila.

 

Rama shprehet se Shqipëria është përzgjedhur nga UEFA, si një nga dy vendet organizatore të Kampionatit Europian U-21 në qershor të vitit 2027, por që do të mikpresë finalen në arenën kuqezi të “Air Albania Stadium”.

 

Andi Lila shprehet se “është një nder i madh për FSHF që është zgjedhur së bashku me Serbinë organizatore të Kampionatit Europian U-21 të vitit 2027”.

 

Ai thekson se ky është një moment i historik për ne dhe një mundësi unike për të dëshmuar aftësinë tonë për të pritur vende të nivelit ndërkombëtar.

 

“Ky kompeticion nuk është vetëm një festë e futbollit, por edhe një mundësi për të nxitur zhvillimin e infrastrukturës dhe për të promovuar vlerat tona si mikpritjen, pasionin dhe dashurinë për lojën e bukur. Ne dëshirojmë t’i tregojmë Europës jo vetëm aftësinë tonë organizative, por edhe bukuritë dhe pasuritë kulturore të vendit tonë. Ju ftoj që krahas emocionit të ndeshjeve të shijoni dhe Shqipërinë dhe të përjetoni nga afër traditën tonë të bujarisë dhe mikpritjes. Faleminderit UEFA. Ju mirëpresim me krahë hapur në Shqipëri”, shprehet Lila në mesazhin e tij.

 

Dy vendet organizatore, Shqipëria dhe Serbia do të mirëpresin secila nga tetë skuadra pjesëmarrëse, ndërsa ekipet do të luajnë në vendin e tyre pritës deri në finalen e madhe, e cila do të zhvillohet në “Arenën Kombëtare” në Tiranë.

 

Ky stadium, me një kapacitet prej 22,000 spektatorësh, ka pritur finalen e UEFA Europa Conference League në vitin 2022.

 

Ndërkohë, ndeshjet e tjera të Kampionatit Europian U-21 të vitit 2027 që do të zhvillohen në Shqipëri, do të luhen në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, “Elbasan Arena” në Elbasan dhe “Arena Egnatia” në Rrogozhinë.

Atsh