ATSH/ Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani riafirmoi sot mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës.

Në përvjetorin e tretë të agresionit të paprovokuar të Rusisë ndaj Ukrainës, Hasani konfirmoi se Shqipëria është në linjë me qëndrimin e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

“Ne dënojmë fuqishëm këtë shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe nderojmë qëndrueshmërinë e popullit ukrainas”, u shpreh ai.

Sipas Hasanit, “çdo përpjekje duhet të bëhet për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën, popullin e saj, dhe sigurinë e Evropës dhe të botës”.

Sot shënohen 3 vjet nga nisja e agresionit rus në Ukrainë. Anëtarët e Komisionit Europian dhe liderë të Bashkimit Europian ndodhen sot në Kiev për treguar mbështetje ndaj popullit të Ukrainës. /m.m/j.p/