Në Ditën Botërore të Jetës së Egër, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura bën apel për mbrojtjen e specieve të kësaj natyre, të cilat janë thelbësore për ekosistemin.
Në një postim në rrjetet sociale AKZM ndau një video “nga banorët më të rëndësishëm dhe të bukur të habitateve tona natyrore, të cilët i sjellim për ju në një kartolinë imazhesh nga jetesa e tyre e qetë në natyrë”.
“Sot është një moment për të reflektuar mbi bukurinë dhe rëndësinë e biodiversitetit në Zonat e Mbrojtura, por jo vetëm. Në këtë ditë të veçantë, bëjmë një apel për qëndrueshmëri dhe mbrojtjen e specieve të egra, të cilat janë thelbësore për ekosistemin dhe të ardhmen tonë”, shkruan AKZM.
Në Shqipëri, me miratimin e ligjit për moratoriumin e gjuetisë, numri i specieve të kafshëve të egra është rritur ndjeshëm në të gjithë vendin.
Dita Botërore e Kafshëve të Egra është një ngjarje globale, që mbahet çdo vit më 3 mars. Ajo feston dhe rrit ndërgjegjësimin për kafshët dhe bimët e egra të botës. Ne, të gjithë mbështetemi në kafshë të egra dhe burime të bazuara në biodiversitet për të përmbushur nevojat tona, nga ushqimi te karburantet, ilaçet, strehimi dhe veshja. Miliona njerëz gjithashtu mbështeten te natyra si burim i jetesës dhe mundësive të tyre ekonomike. Si e tillë, kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin për rolin jetik që ka jeta jonë e egër në mbështetjen e planetit.
/k.s/a.f/r.e/atsh