Marka “Made in Albania” po fiton gjithnjë e më shumë terren në tregjet ndërkombëtare, falë mbështetjes së qeverisë për fermerët dhe bujqësinë vendase.

Ngarkesat e fundit të lakrës së Brukselit janë gati për eksport, ndërsa fermerët e Shirgjanit në Elbasan vijojnë me mbjelljen e kulturave të tjera bujqësore, duke garantuar prodhim cilësor dhe të qëndrueshëm.

Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja në një postim në rrjetet sociale tha se ‘vetëm këtë vit, nga zona e Shirgjanit janë eksportuar 1,600 ton lakër, një sukses që vjen si rezultat i punës së palodhur të fermerëve tanë dhe mbështetjes konkrete të qeverisë për zhvillimin e bujqësisë”.

“Ky është modeli që ne duam të forcojmë edhe më shumë, një fshat të gjallë, një ekonomi të qëndrueshme dhe produkte cilësore që bëjnë krenar çdo shqiptar”, tha Llatja.

Produktet bujqësore “Made in Albania” po rrisin praninë e tyre në mënyrë të qëndrueshme në tregjet e huaja.

Eksportet bujqësore shënuan rritje me 18% gjatë muajit shkurt, krahasuar me shkurtin e një viti më parë.