Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot pyetjeve të adresuara në platformat sociale nga qytetarët, ndërsa vuri në dukje se vota e 11 majit, pa parë përkatësi apo fanelë politike është shumë e rëndësishme për misionin e integrimin e Shqipërisë në familjen evropiane.
“Është shumë e thjeshtë, sepse futja në BE është një proces i cili sot është shumë konkret dhe për herë të parë qysh se ne kemi dalë nga errësira e komunizmit ka një përputhshmëri të plotë mes dëshirës sonë për të hyrë në BE dhe dëshirës së tyre për të na marrë në BE. Në procesin e integrimit që nga viti 1990 pas rënies së Murit të Berlinit e këtej të vendeve ish-komuniste, ka pasur momente që dera është hapur dhe ka pasur faza kur dera është mbyllur për arsye të politikës së brendshme të BE, natyrisht”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se Shqipëria është në një moment kur dera e BE-së është hapur për vendin tonë dhe për Malin e Zi dhe, sipas tij, kjo do të thotë që është në tryezë një kalendar pune, i cili ka një afat, fundin e vitit 2027 për të përmbyllur negociatat.
“Negociatat janë bisedime për të gjitha aspektet e organizimit shtetëror, për të gjithë sektorët, ku nga pikëpamja e legjislacionit ne duhet të adaptojmë gjithë organizimin legjislativ dhe rregullator të BE-së bëhet fjalë për çerek milion faqe, për të cilat ka vite që ka filluar puna, por ka plot akoma për të përkthyer, për të adaptuar dhe për të çuar në miratim dhe nga ana tjetër bëhet fjalë edhe për të garantuar një proces e një performancë pozitive”, tha Rama.
Sipas Kryeministrit, BE nuk bën as lojëra, as komente në rrjetet sociale.
“BE nuk merr pjesë në votime në Shqipëri, nuk ka fanelë partiake shqiptare. BE ka një mekanizëm të tërë për të monitoruar ecurinë e punëve në një vend që pretendon të bëhet anëtar i BE dhe ai mekanizëm nuk do të dijë fare siç thashë as për përkatësi politike, simpati politike, ai është një mekanizëm i ftohtë, i akullt që sheh punën dhe rezultatet. Në bazë të punës dhe rezultateve që ky mekanizëm thotë komplet të kundërtën e asaj që thua ti Bledi dhe plot të tjerë si ti që nisen nga të tjera premisa. Do të thotë që në të vërtetë Shqipëria po bën hapa shumë të mëdhenj në transformimin e gjithë organizmin të vet shtetëror dhe po është një shtet i gatshëm për t’u bërë një shtet anëtar i BE-së dhe ky është fakt që nuk e luan as topi dhe jo më fjalët e tepërta që janë fukarallëk”, pohoi Rama.
zyrtare të negociatave për arsye politike të një vendi tjetër ne i kemi bërë detyrat e shtëpisë dhe kemi qenë gati dhe në momentin që të hapeshin negociatat ne kemi qenë më përpara se të tjerët duke praktikisht duke bërë të njëjtat gjëra po t’i kishim hapur. Sot dera është hapur dhe nuk është një lojë fjalësh dhe çështje kush jam unë, apo ti, jam me këtë apo atë apo ngjyrë të fanelës politike në Shqipëri”, pohoi Rama.
Kryeministri theksoi se çështja e votës dhe zgjedhjeve në 11 maj është një çështje mbarëkombëtare, një interes mbarëkombëtar. “Ne nuk duhet të lëkundemi dhe nuk duhet ta humbasim fillin dhe drejtimin. Qeveria jonë mund të ketë shumë të meta, mund të ketë bërë plot gabime, por askush tjetër as përballë as përreth as mbrapa nesh, nuk bën dot asesi atë që ne mund të bëjmë në këtë moment në histori dhe do të ishte fatale për vendin çdo lloj lëkundje në 11 maj”, tha Rama. /j.p/