Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se ekonomia shqiptare ka kaluar një transformim të madh në dekadën e fundit, duke përmirësuar ndjeshëm të gjithë treguesit ekonomikë.
Malaj ishte pjesë e takimit me bizneset që zhvilloi sot Kryeministri Edi Rama në Elbasan për planin e masave fiskale që do të zbatohen në 4 vitet e ardhshme.
Sipas Malajt, në vitin 2013 Shqipëria kishte një papunësi prej 17,5%, një borxh publik mbi 70% të PBB-së dhe një ekonomi me të ardhura për frymë prej vetëm 3300 euro. Sot, vijoi ai, PBB ka arritur në 25 miliardë euro, papunësia është ulur në 8.8%, ndërsa të ardhurat për frymë janë rritur në 10,400 euro.
“Falë reformave të thella, ndonjëherë të dhimbshme, kemi arritur një rritje të PBB-së me 110% në dekadën e fundit, më shumë se çdo vend tjetër i Ballkanit Perëndimor,” tha Malaj.
Ministri theksoi se objektivat për vitin 2030 përfshijnë një PBB prej 35 miliardë euro, të ardhura për frymë prej 15 mijë euro dhe një nivel papunësie në 6,6%, në përputhje me mesataren e BE-së. Borxhi publik synohet të ulet në 50%.
“E parë edhe në planin rajonal të ardhurat për frymë janë rritur më shpejt se sa në vendet e Ballkanit Perëndimor. Nëse në 2013-ën, PBB për frymë ishin 22% më pak se vendet e rajonit, sot që flasim jemi 15% më lart se mesatarja e rajonit”, deklaroi ai.
Kryeministri Edi Rama, nga ana e tij vlerësoi bashkëpunimin me biznesin dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të reformave strukturore.