Në një prej zonave më piktoreske dhe më të virgjëra të Shqipërisë, në Fushë-Studën, në zemër të Parkut Kombëtar Shebenik këtë të shtunë u organizua një festë e veçantë me karakter promovues i turizmit malor dhe kulturor. Aktiviteti “Shebeniku Feston” u zhvillua nën kujdesin e Drejtorit të Zonave të Mbrojtura, Fatmir Brazhda dhe stafit të institucionit të drejtuar prej tij me mbështetjen e Bashkisë së Librazhdit dhe komunitetit vendas.Ky takim kishte si qëllim të promovonte vlerat e jashtëzakonshme natyrore, peizazhin e ruajtur, biodiversitetin e pasur dhe trashëgiminë kulturore të kësaj zone të rrallë e cila është një nga perlat më pak të eksploruara të Shqipërisë.Parku Kombëtar Shebenik i cili e mori këtë status 17 vite më parë shtrihet në lindje të Shqipërisë dhe kufizohet me Maqedoninë e Veriut. Ai përfaqëson një nga zonat më të pasura në biodiversitet në Ballkan dhe njëkohësisht një nga habitatet e fundit natyrore të arinjve, rrëqebullit të Ballkanit dhe shumë llojeve të tjera të mbrojtura.Fushë-Studën, vendi ku u organizua festa , ofron një pamje të jashtëzakonshme e cila është një luginë e gjelbër mes maleve të larta, me përrenj të pastër, livadhe alpine dhe pyje të dendura. Pikërisht në këtë ambient, u organizua aktiviteti që bashkoi natyrën me kulturën dhe trashëgiminë popullore.Festa u karakterizua nga një atmosferë tepër e ngrohtë dhe autentike. Gratë dhe vajzat e zonës përgatitën gatime tradicionale të zonës së Librazhdit duke ofruar për vizitorët ushqime të shijshme, bio dhe plot shije nga byreku me hithra te gjella me kërpudha mali dhe ëmbëlsirat e përgatitura sipas recetave të vjetra.Ansamblet popullore lokale sollën valle dhe këngë tradicionale duke krijuar një ambient festiv që ndërthurte gjallërinë me qetësinë e natyrës. Mikpritja e banorëve vendas u vlerësua nga të gjithë të pranishmit të cilët përjetuan nga afër kulturën e gjallë dhe të ruajtur me fanatizëm në këtë zonë.
Festat si kjo janë forma të gjalla të edukimit, bashkëpunimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.”Ky aktivitet është pjesë e një nisme më të gjerë për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në zonat e mbrojtura, duke bashkuar përpjekjet e institucioneve shtetërore, autoriteteve vendore dhe vetë komuniteteve që jetojnë në këto zona.Përmes ngjarjeve të tilla, synohet jo vetëm të nxiten vizitat turistike, por edhe të krijohet një ndjeshmëri më e thellë ndaj ruajtjes së mjedisit dhe vlerave autentike që lidhen ngushtë me natyrën.Shebeniku është më shumë se një park ,është një përvojë që nuk duhet humbur.
Ftesa është e hapur për të gjithë: hajdeni dhe përjetoni natyrën, mikpritjen dhe shpirtin e vërtetë shqiptar në një nga vendet më të veçanta të Ballkanit.
Nga Fatmir Popja


























