ATSH/ Kalaja e Himarës është një destinacion interesant për shumë vizitorë që përveç turizmit detar kërkojnë të eksplorojnë edhe atë kulturor.
E konsideruar si xhevahir i Rivierës shqiptare, Himara ka pasur vitet e fundit një rritje të interesit nga ana e vizitorëve vendas dhe të huaj ku vend të veçantë zë kalaja e Himarës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një videoinformacion mbi kalanë e Himarës, ndërsa ftoi turistët që ta vizitojnë atë këtë verë.
Që prej shekullit të IV, Kalaja e Himarës ngrihet krenare në zemër të rivierës shqiptare, me muret që mbajnë shumë histori mbi supe dhe kanë qëndruar të pathyera për më shumë se 2 mijë vjet.
E ndërtuar nga kaonët e lashtë, kalaja e Himarës ishte një fortesë e fuqishme nëpër shekuj, që ka parë pushtime romake, bizantine dhe osmane, por gjithmonë ka qëndruar kryelartë.
Rrugët e ngushta dhe rrënojat e kishave dhe shtëpive të vjetra përcjellin historinë e mijëra viteve, ndërsa nga lartësia e ku është vendosur mund të shijohen pamje spektakolare të detit Jon.
/m.m/j.P