Nga Fatmir Popja

Nga Seferani në pedonalen e qytetit, rinia e zonës së Dumresë këtë prag fundjave solli art, kulturë dhe bukuri në një festë të paharrueshme që do mbahet mend shumë gjatë.Me rastin e Festës së Afërditës, një nga aktivitetet më të veçanta dhe të shumëpritura të kësaj zone , Bashkia Belsh organizoi një sërë eventesh kulturore dhe artistike që kulmuan me një atmosferë festive të mbushur me energjinë me pozitive rinore dhe me pasionin për artin dhe traditën.Aktivitetet nisën në paraditen e së enjtes në ambientet e amfiteatrit pranë liqenit të Seferanit, ku nxënës nga të gjitha shkollat e zonës u bënë pjesë e një spektakli shumëngjyrësh. Në një skenë të hapur për të gjithë dashamirësit e artit dhe kulturës, të rinjtë sollën performanca të ndryshme që përfshinë,interpretim këngësh moderne dhe tradicionale,kërcime dhe valle popullore,aktrim dhe skeçe humoristike,recitime poetike dhe interpretime artistike.Pjesëmarrja e gjerë e nxënësve dhe përkushtimi i mësuesve dhe prindërve e bëri këtë aktivitet një sukses të plotë duke treguar edhe njëherë potencialin krijues dhe artistik të brezit të ri në Dumre.Pasditeja dhe mbrëmja u zhvendosën në pedonalen e qytetit të Belshit, ku atmosfera mori një tjetër dimension me organizimin e konkursit të bukurisë “Miss Afërdita 2025” një event që tashmë është kthyer në traditë të dashur për komunitetin e zonës së Dumresë dhe jo vetëm.Në një skenografi të kuruar me detaje dhe një publik të zjarrtë, vajzat pjesëmarrëse parakaluan me elegancë dhe vetëbesim duke prezantuar jo vetëm bukurinë e tyre, por edhe kulturën, mençurinë dhe personalitetin. Juria kishte një detyrë të vështirë, por në fund, kurora e “Miss Afërdita 2025” iu dorëzua Enkela Kullollit, nxënëse e vitit të parë në Gjimnazin “Sami Frashëri” të Belshit.
“Festa e Afërditës është më shumë se një event bukurie. Është një shfaqje identiteti, një promovim i talenteve të reja dhe një dëshmi e bashkëpunimit të shkëlqyer mes shkollave, komunitetit dhe institucioneve lokale,”
Ky organizim, i cili mblodhi qindra qytetarë, të rinj, prindër dhe vizitorë, u kthye në një ditë reflektimi dhe festimi për bukurinë e natyrës, shpirtit rinor dhe trashëgimisë kulturore të Dumresë.Ky aktivitet vjen si pjesë e kalendarit kulturor të Bashkisë Belsh për vitin 2025 dhe pritet të pasurohet me të tjera evente gjatë sezonit veror i cili e tejmbush këtë qytet me turistë të që vijnë nga e gjithë bota .