Ishulli i Sazanit dhe gadishulli i Karaburunit nuk janë më destinacione të reja për turistët, por mbeten ndër më të preferuarat, veçanërisht për të huajt që kërkojnë të eksplorojnë bukuritë natyrore dhe historinë e këtyre zonave.
Çdo ditë, vizitorë nga vende të ndryshme të Europës dhe botës zgjedhin të vizitojnë gjiret e Karaburunit dhe të shohin nga afër ishullin e Sazanit, i cili mbart një të kaluar të pasur historike dhe ushtarake.
Anije turistike dhe mjete të vogla lundruese, siç janë gomonet, nisen çdo ditë nga Vlora për të çuar pushuesit drejt këtyre mrekullive natyrore, ku shijohet natyra, deti dhe qetësia që ofron kjo zonë
“Nuk e njihnim vendin tuaj, vetëm Kroacinë dhe Spanjën. Miqtë tanë shqiptarë na sygjeruan dhe sot jemi këtu. Ka shumë gjëra të reja këtu dhe shumë janë rinovuar, por sigurisht që është shumë bukur për turistët. Plazhet janë të bukura, uji i pastër, ushqimi i shkëlqyer, njerëzit miqësorë dhe me të vërtetë gjithçka e mrekullueshme. Për Shqipërinë kemi ditur shumë pak nga historia, ndërsa për ishullin e Sazanit nuk dinim asgjë. Do të rikthehem sërish këtu pasi Nurenbergu është dy orë larg nga Tirana”, tha një pushues nga Gjermania.
“Jemi për herë të parë këtu dhe po na pëlqen shumë, kemi dëgjuar për Shqipërinë, jemi nga Polonia dhe këtu plazhi është shumë i bukur. Vitin tjetër do rikthehemi sërish dhe do marrim dhe familjarët, do ja rekomandojmë dhe të tjerëve”, tha pushuesja nga Polonia.
“Kam ardhur nga Polonia ndërsa i dashuri im është nga Turqia .është e para herë që vijmë, plazhet këtu janë super, njerëzit janë shumë të dashur, çdo gjë është shumë bukur. Do rikthehemi sërish vitin tjetër. Ndërkohë që para një jave kanë mbërritur më shumë se një mijë pushues nga Polonia”, u shpreh një tjetër.
“Nga viti në vit numri i pushuesve nga Polonia është në rritje. Ata presin me padurim fillimin e punës në aeroportin e Vlorës, dhe nëse vitin tjetër do të mbarojnë dhe punimet e aeroporti do të ketë shumë më shumë polakë që do pushojnë në Vlorë. Rreth 200 mijë pushues nga Polonia vijnë çdo vit në Shqipëri që pushojnë në qytetet bregdetare”, tha Gert Dragoshi, shoqërues guide.
Top Channel