Elbasani është përzgjedhur si qyteti ku do të nisë projekti pilot për zhvillimin e hendbollit në Shqipëri, në kuadër të workshopit ndërkombëtar “Zhvillimi i Hendbollit në Shqipëri”, organizuar nga Federata Shqiptare e Hendbollit në bashkëpunim me Federatën Hungareze të Hendbollit dhe studentë të Universitetit të Budapestit.

Ky projekt synon të fuqizojë të rinjtë shqiptarë përmes sportit, duke nxitur vlera si loja e ndershme, disiplina dhe bashkëpunimi. Përzgjedhja e Elbasanit si vendi ku nis ky projekt pilot është një hap strategjik për të krijuar më shumë mundësi për brezat e rinj që duan të zhvillohen përmes sportit.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, ka bërë të ditur këtë nismë të rëndësishme, duke theksuar se “sporti është një nga mjetet më të fuqishme për edukimin dhe rritjen e shëndetshme të të rinjve. Ky projekt do t’u japë atyre mundësi konkrete për të ndërtuar aftësi personale dhe ekipore që i shërbejnë karrierës sportive”.

Workshopi do të shërbejë si platformë për shkëmbimin e eksperiencave ndërkombëtare, me fokus të veçantë tek edukimi sportiv tek të rinjtë për tu rritur përmes lojës, disiplinës dhe bashkëpunimit.