Në qytetin e Elbasanit është çelur workshopi ndërkombëtar “Zhvillimi i Hendbollit në Shqipëri”, një projekt pilot i rëndësishëm i organizuar nga Federata Shqiptare e Hendbollit në bashkëpunim me Federatën Hungareze dhe studentë të Universitetit të Budapestit.
Ky aktivitet synon të vendosë në qendër të vëmendjes sportin si një mjet edukimi, zhvillimi dhe fuqizimi për të rinjtë shqiptarë. Përmes sesioneve trajnuese, shkëmbimeve të eksperiencave dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, workshopi synon të hapë rrugë të reja për zhvillimin e hendbollit në vend, veçanërisht në nivelin e të rinjve dhe të komunitetit lokal.
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, duke e cilësuar këtë nismë si një hap të madh përpara për sportin vendor, u shpreh:
“Sporti është një nga mjetet më të fuqishme për edukimin dhe rritjen e shëndetshme të të rinjve. Ky projekt do t’u japë atyre mundësi konkrete për të ndërtuar aftësi personale dhe ekipore që i shërbejnë karrierës sportive.”
Workshopi do të shërbejë gjithashtu si një platformë dialogu për palët e interesuara, për të diskutuar sfidat dhe potencialin e zhvillimit të mëtejshëm të sportit të hendbollit në Shqipëri.
Edlira Xherri Elbasaninews.al