Deputetja e zgjedhur më 11 maj, Aulona Bykykbashi, deputeti Adi Qose, së bashku me drejtuesin politik të PS për qarkun e Elbasanit, Arbjan Mazniku, zhvilluan një vizitë në Gramsh, ku zjarret e ditëve të fundit kanë prekur disa fshatra duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
“Gramshi nuk dorëzohet! Shqipëria nuk dorëzohet! Mes familjeve të prekura, tokave të djegura kemi nisur punën menjëherë për t’ju gjendur kujtdo në vështirësi dhe vlerësuar dëmet. Askush nuk do të jetë i vetëm në këtë sfidë! Qeveria do të jetë gjithnjë prezente në përballimin e kësaj fatkeqësie deri në rimëkëmbjen e plotë të pasojave!”, u shpreh Bykykbashi.
Ndërkohë, qeveria ka miratuar një program të posaçëm për vlerësimin dhe kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga zjarret, i cili parashikon evidentimin e dëmeve nga grupet e konstatimit dhe kompensimin financiar përmes fondeve të mbrojtjes civile të bashkive të prekura.
Kujt humbi shtëpinë do t’i rindërtohet falas, ndërsa atyre që humbën gjënë e gjallë do t’u rifinancohet.