Rama ndau pamje nga kjo zonë malore, duke e cilësuar Lëpushën “një mrekulli të Alpeve tona” dhe një destinacion që nuk duhet të mungojë në itinerarin e atyre që janë të apasionuar pas turizmit natyror.
“Lëpusha e Kelmendit në Malësi të Madhe, një mrekulli e Alpeve tona, e një destinacion që s’duhet të mungojë në udhëtimet e të pasionuarve pas turizmit natyror”, thekson Rama.
Malësia e Madhe po kthehet gjithnjë e më shumë në një pikë referimi për turizmin malor dhe atë familjar, duke tërhequr vizitorë vendas e të huaj. Potenciali i pasur natyror, mikpritja tradicionale dhe zhvillimi i agroturizmit po e bëjnë zonën një ndër destinacionet më premtuese për turizmin e qëndrueshëm në Shqipëri.
Në fshatin Lëpushë, me mbështetjen e AZHBR-së janë ngritur shtëpi pritjeje(bujtina) që bëjnë të mundur strehimin e vizitorëve vendas e të huaj.
Lëpusha vlerësohet si bukuria e rrallë e natyrës së Kelmendit dhe si “perlë” e Alpeve Shqiptare. Male të larta me bllokun shkëmborë të Shenikut në Bjeshkët e Namuna dhe malet përreth. Shquhet për kullotat e gjelbra dhe pyje e dendur që harbojnë gjatë stinës së verës.
Fshati laget përherë nga përroi i quajtur Sheu i Lëpushës. Dega kryesore e ekonomisë në zonë është blegtoria dhe bujqësia, por vitet e fundit po zhvillohet edhe agroturizmi. Përpunimi artizanal i drurit është një tjetër burim ndihmës për ekonominë e banorëve.
Lepusha është një vend i mrekullueshëm me potenciale për turizmin e natyrës dhe atë të aventurës.
Lepusha e Kelmendit, bukurinë e saj përrallore e ka në stinën e verës. Aty ndodhen bujtina që kanë përshtatur komoditetin për një turizëm gjithëvjetor. Vizitorët e zonës, janë kryesisht ata që pëlqejnë ngjitjet malore, aventurën, sportet e borës dhe natyralistët.