Në sallën e bibliotekës publike të Elbasanit, Klubi i Leximit organizoi takimin e radhës nën moton “Pasditja e autorëve elbasanas”, duke i kushtuar një hapësirë të veçantë jetës dhe krijimtarisë së Leksit të Vinit, një figurë e njohur dhe e dashur për qytetarët e Elbasanit.

Shënimet dhe studimet e Leksit të Vinit kanë një rëndësi të veçantë për trashëgiminë kulturore të qytetit. Ai ka dokumentuar me kujdes jo vetëm ngjarjet dhe realitetin e kohës kur jetoi, por edhe traditat, zakonet dhe gojëdhënat e periudhave më të hershme. Përmes punës së tij të palodhur, shumë informacione që ndryshe mund të kishin humbur janë ruajtur dhe janë bërë pjesë e pasurisë kulturore të Elbasanit.

Një nga rezultatet më të dukshme të kësaj përkushtimi është vëllimi “Traditat zakonore të Elbasanit”, një libër voluminoz që ka ardhur në jetë falë bashkëpunimit të studiuesve të njohur Kreshnik Belegu, Ortenca Dakli dhe Fatmir Musai, të cilët kanë punuar për të strukturuar dhe publikuar materialet e Leksit të Vinit. Ky libër ofron një pasqyrë të gjallë të kulturës popullore, mënyrës së jetesës dhe zakoneve që kanë formësuar identitetin e qytetit.

Gjatë takimit, pjesëmarrësit në Klubin e Leximit diskutuan mënyra të ndryshme për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë e pasur kulturore të Elbasanit, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së të rinjve dhe komunitetit më të gjerë në aktivitete kulturore dhe edukative. Duket se përmes iniciativave të tilla, historia dhe traditat e qytetit mund të mbeten të gjalla për brezat e ardhshëm.

Ky takim ishte jo vetëm një mundësi për të reflektuar mbi kontributin e autorëve elbasanas, por edhe një ftesë për të gjithë qytetarët që të angazhohen më shumë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, duke i bërë këto vlera pjesë të përditshmërisë së qytetit.

Edlira Xherri