Në Elbasan, puna për mirëmbajtjen e qytetit nuk ka ndalur asnjë ditë. Ekipet e Agjencisë së Shërbimeve Publike vijojnë çdo mëngjes me pastrimin, sistemimin dhe kujdesin për hapësirat publike, rrugët dhe gjelbërimin.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, e ka vënë gjelbërimin dhe estetikën e qytetit si një ndër prioritetet kryesore të mandatit të tij. Sipas tij, qyteti nuk është vetëm një hapësirë e përbashkët ku jetojmë, por edhe një pasqyrë e përkujdesjes ndaj mjedisit dhe brezave që do të vijnë.
“Gjelbërimi është frymëmarrja e qytetit. Ne kujdesemi çdo ditë për të pasur parqe më të bukura, rrugë të pastra dhe hapësira publike ku qytetarët të ndihen mirë dhe të sigurt,” është shprehur më herët Llatja.
Puna nuk vijon vetëm në parqe apo në zonat qendrore të qytetit, por edhe nëpër lagje, ku po kryhet mirëmbajtje dhe pastrim i vazhdueshëm. Paralelisht, ekipet e ASHP kanë nisur përgatitjet edhe për pastrimin e ambienteve në shkolla, me qëllim që ato të jenë gati për nxënësit në nisje të vitit të ri shkollor.
Nga krasitja e pemëve, ujitja e luleve, deri tek pastrimi i rrugëve dhe grumbullimi i mbetjeve, puna e përditshme e ASHP synon që Elbasani të jetë një qytet më i gjelbër, më i pastër dhe më mikpritës për banorët dhe vizitorët.
Bashkia Elbasan thekson se ky angazhim nuk është thjesht një detyrim institucional, por një mision i përditshëm për të rritur cilësinë e jetesës dhe për ta kthyer Elbasanin në një qytet model.