Nga Edlira Xherri
Në Elbasan po vijon me intensitet realizimi i një prej projekteve më madhore për qytetin – Auto Moto Park Elbasan, i cili pritet ta shndërrojë qarkun në një qendër të rëndësishme të automobilizmit dhe turizmit modern në Shqipëri.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja tekaa ka pa nga afër ecurinë e punimeve bëri me dije se një prej elementeve kyç të këtij projekti është ndërtimi i Qendrës Multifunksionale të Automotorizimit, që do të ofrojë mbi 245 mijë shërbime çdo vit për rreth 105 mijë drejtues mjetesh. Puna në terren për nivelimin e sheshit dhe ngritjen e godinës është drejt konkretizimit, duke sjellë një standard të ri shërbimesh për qytetarët.
Paralelisht, Bashkia e Elbasanit po investon edhe në rrugën “Gjergj Arianiti”, ku po ndërtohen trotuare të reja, ndriçim modern dhe korsi biçikletash. Ky aks do të shndërrohet në një hapësirë bashkëkohore, me panoramë të veçantë përgjatë lumit Shkumbin.
“Ky është vetëm fillimi i një vizioni afatgjatë. Elbasani do të kthehet në qendër të automobilizmit dhe turizmit modern, duke gjeneruar zhvillim ekonomik dhe duke rritur atraktivitetin e qytetit,” është shprehur kryebashkiaku Gledian Llatja.
Me këto investime, Elbasani po vendos themelet e një transformimi të plotë urban e ekonomik, që do ta bëjë qytetin më të aksesueshëm dhe më tërheqës për banorët dhe vizitorët.