Teksa prezantoi sot qeverinë e re Rama 4, kryeministri propozoi si Ministër të Mjedisit Z. Sofjan Jaupaj.

Rama vlerësoi performancën e Z. Jaupaj si zv/ministër në po të njëjtin dikaster.

“Sofjan Jaupaj është negociator i Shqipërisë për kapitullin që lidhet me mjedisin. Ai është, jo vetëm një ndër njohësit të anës teknike dhe ligjore të mjedisit, por është edhe një nga shqiptarët më të apasionuar pas mjedisit.

Sofjani i ka ngjitur shkallët e karierës një e nga një, si profesionist i përkushtuar për të arritur në nivelin e zv/ ministrit aktual të mjedisit duke e merituar plotësisht besimin që i jepet, pikërisht kur Shqipëria ka nevojë të domosdoshme zhvillimin e mëtejshëm, por njëkohësisht ka nevojë jetike të mbrohet dhe rigjenerohet nga ana mjedisore” është shprehur Kryeministri Rama teksa prezantoi Ministrin e Ri të Mjedisit.

Kush është Sofjan Jaupaj?

Sofjan Jaupaj u diplomua për Drejtësi në vitin 2013 në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës ku ka qenë anëtar i rrjetit të studentëve ekselentë të këtij Universiteti dhe ndoqi studimet LL.M. për të Drejtën e Pronësisë Intelektuale në Itali, Zvicër (përfitues i bursës evropiane të Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale).

Në 10 vitet e fundit ai ka mbajtur pozicione të ndryshme në sektorin publik në Shqipëri si Drejtor i Kabinetit i Kryenegociatorit për Integrimin në BE të Shqipërisë, Drejtor i Integrimit dhe Koordinator i Lartë për normat ligjore prioritare të BE-së pranë Kryeministrisë dhe Ministrisë së Kulturës dhe aktualisht në 3 vitet e fundit ka qenë i emëruar Drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.

Nga viti 2021 ai është Autoriteti Kombëtar për Fondin e Gjelbër të Klimës dhe Fondin Global të Mjedisit. Ai ka qenë profesor i jashtëm në disa lëndë ligjore gjatë 2019-2021. Z. Jaupaj është trajnuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës dhe Kolegji i Evropës Brugges për cështjet europiane dhe diplomacinë ekonomike si dhe nga “Harvard Law School” në SHBA për pronësinë intelektuale me specialitet të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të. Ai është një alumni i Akademisë Politike të Këshillit të Evropës. Zotëron në nivel të shkëlqyer gjuhën angleze dhe italiane.