Nga Edlira Xherri

Klubi Shumësportësh Elbasani ka hapur zyrtarisht sezonin e ri sportiv, duke nisur garat me Kampionatin Kombëtar të Volejbollit për meshkuj dhe duke vijuar sipas kalendarit sportiv të vitit. Në një prononcim për Elbasani News, drejtuesit dhe stafi mjekësor i klubit theksuan se objektivat për këtë vit janë të qarta: të garohet denjësisht në të gjitha disiplinat, duke synuar trofe dhe rezultate të larta, gjithmonë mbi bazën e një përgatitjeje profesionale dhe të sigurt.

Hapja e sezonit bëhet me ndeshjen e volejbollit për meshkuj mes ekipeve Elbasani dhe Studenti, e cila zhvillohet sot në orën 18:00. Pallati i Sportit “Tomorr Sinani” është i përgatitur për pritjen e ekipeve dhe sportdashësve, duke garantuar të gjitha kushtet e nevojshme për zhvillimin normal të aktiviteteve sportive. Ky ambient do të vijojë të funksionojë si qendër sportive e qytetit, duke ofruar infrastrukturë moderne dhe organizim për sportistët e të gjitha disiplinave.

Artin Kovaçi, Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Kulturës dhe Sporteve në Bashkinë e Elbasanit, u shpreh se organizimi i sezonit është i plotë në çdo drejtim:

 

“Klubi i Elbasanit është i përgatitur në të gjitha drejtimet. Sot hapim siparin e Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për meshkuj dhe do të vijojmë me garat e tjera sipas kalendarit. Jemi në proces ndërtimi të ekipeve dhe nuk mungon aspak elementi. Është një organizim total nga ana profesionale dhe këtë vit synojmë që sidomos ekipi i volejbollit për femra të dalë me trofe.

Çdo gjë është e organizuar mirë, sidomos kushtet, të cilat janë pothuajse ndër më të mirat në Shqipëri. Do të vazhdojmë të gjitha garat dhe do të jemi korrektë si gjithmonë për lojëra të mira dhe fair play.

Sa i përket cilësisë, them që nuk do të mungojë. Nuk pretendojmë se kemi cilësinë më të lartë të mundshme, megjithatë do të jemi dinjitozë deri në përfundim të kalendarit sportiv. Përveç këtyre, kemi edhe arritje shumë të mira në sportet e tjera, të cilat kanë mbetur një traditë e mirë e sportit në Elbasan. Kemi kampionë, nënkampionë dhe trofe të shumtë, veçanërisht vitin e kaluar, kur kemi fituar rezultate të shkëlqyera edhe në sportet individuale.”

 

Programi i aktiviteteve është hartuar për të mbuluar të gjitha grupmoshat dhe kategoritë e sportistëve, duke siguruar një rrjedhë të qëndrueshme ngjarjesh gjatë gjithë vitit sportiv. Përveç përgatitjes teknike e sportive, një rëndësi të veçantë i kushtohet edhe shëndetit të sportistëve.

Alisa Xhyra, mjeke e Klubit Shumësportësh Elbasan, vuri në dukje edhe përgatitjen nga ana shëndetësore dhe theksoi se sezoni i ri ka nisur me ekzaminime të detajuara mjekësore për të gjithë atletët.

“Aktualisht po përgatitemi për nisjen e sezonit të ri sportiv. Si çdo vit, ky proces nis me kryerjen e kontrolleve dhe ekzaminimeve mjekësore të detajuara për të gjithë sportistët tanë. Qëllimi i këtyre ekzaminimeve është të vlerësojmë gjendjen shëndetësore, të identifikojmë herët çdo problem të mundshëm dhe të sigurohemi që secili prej tyre të ketë bazën e nevojshme për një përgatitje fizike të shëndetshme dhe të sigurt.

Nëpërmjet këtyre vlerësimeve mjekësore, përcaktojmë parametrat individualë të çdo sportisti dhe japim rekomandimet përkatëse që lidhen me ngarkesën stërvitore, ushqyerjen, si dhe kujdesin e përgjithshëm për të parandaluar dëmtimet.

Shëndeti i sportistëve tanë mbetet prioriteti kryesor, pasi vetëm mbi një bazë solide shëndetësore mund të arrihen rezultatet e larta sportive. Me këtë qasje profesionale, po i japim start sezonit të ri me besim dhe përkushtim, duke synuar jo vetëm sukseset në fushën sportive, por edhe mirëqenien afatgjatë të çdo sportisti që përfaqëson klubin tonë.”

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka shprehur gjithashtu një kujdes të veçantë për sportin dhe sportistët e qytetit. Ai thekson rëndësinë e mbështetjes së infrastrukturës sportive, zhvillimit të talenteve të reja dhe promovimit të aktivitetit fizik si pjesë të një jete të shëndetshme për të gjithë qytetarët. Ky përkushtim synon që Elbasani të vazhdojë të jetë një qytet shembull në sport, duke mbështetur jo vetëm sukseset e klubeve, por edhe mirëqenien dhe zhvillimin e sportistëve.

Klubi Shumësportësh Elbasani, i njohur për traditën e gjatë sportive dhe trofetë e fituar vit pas viti, synon që edhe këtë sezon të përfaqësojë qytetin me dinjitet në të gjitha disiplinat. Me përkushtim, profesionalizëm dhe kujdes të shtuar ndaj sportistëve, Elbasani hyn në një vit të ri sportiv me ambicie të qarta për suksese të reja.