Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të kundërshtarëve të saj politikë pas vrasjes së Charlie Kirk, aktivistit konservator amerikan, duke akuzuar të majtën për hipokrizi dhe minimizim të dhunës ndaj të djathtës.

Vij nga një komunitet politik që shpesh është akuzuar për përhapje urrejtjeje, dhe pikërisht nga ata që sot festojnë ose justifikojnë vrasjen e një djali vetëm sepse mbrojti me kurajë idetë e tij,” tha Meloni gjatë një fjalimi në takimin kombëtar të partisë UDC në Romë.

Ajo iu referua drejtpërdrejt komenteve pas vrasjes së Charlie Kirk, ku sipas saj, pati reagime “çnjerëzore”, përfshirë edhe atë të shkrimtarit italian Piergiorgio Odifreddi.

Të krahasosh vrasjen e Martin Luther King me atë të një përfaqësuesi MAGA, duke sugjeruar dënime më të lehta për atentatorët që vrasin njerëz të djathtë, është e papranueshme. Është koha që e majta italiane të marrë përgjegjësinë për këtë justifikim të vazhdueshëm të dhunës ndaj atyre që nuk mendojnë si ata. Këto qëndrime janë të rrezikshme, të papranueshme dhe kundër çdo fryme demokratike,” shtoi kryeministrja.

Në vijim të fjalimit të saj, Meloni u ndal edhe te reformat e brendshme dhe pozicionimi ndërkombëtar i Italisë. Ajo theksoi se qeveria po ecën përpara me agjendën e saj, duke riafirmuar se “Italia është kthyer në një pikë stabiliteti në Evropë.”

E kemi provuar se politika mund të jetë serioze, e besueshme dhe e përkushtuar. I kemi qëndruar besnikë zotimeve ndaj qytetarëve dhe rezultatet janë të dukshme: mbi një milion vende pune të krijuara në 1000 ditë qeverisje,” tha Meloni.

Ajo u shpreh se faktorët ndërkombëtarë dhe tregjet kanë rikthyer besimin te Italia, duke përmendur rritjen ekonomike dhe stabilitetin politik si dëshmi të suksesit të ekzekutivit të saj.

Kryeministrja italiane shfrytëzoi skenën e UDC-së për të prezantuar edhe një nga synimet kryesore për sezonin e ardhshëm politik: reforma e sistemit të qeverisjes.

Dua ta arkivojmë njëherë e mirë epokën e qeverive teknike apo të llojit ‘ngjyra ylberi’. Qytetarët duan stabilitet dhe qeveri politike, e reforma për kryeministrinë (premierato) është thelbësore për këtë,” u shpreh ajo.

Ndër prioritetet e saj është edhe reforma në drejtësi, ku Meloni konfirmoi vullnetin për të ndarë karrierat në sistemin gjyqësor dhe për të reformuar Këshillin e Lartë të Magjistraturës (CSM), “për ta çliruar drejtësinë nga sistemi i klaneve dhe për ta bërë më efikase e të drejtë për qytetarët.”

Në fund të fjalimit të saj, Meloni iu përgjigj edhe komenteve për raportin e saj me komunitetin katolik, pas fjalimit të saj në “Meeting di Rimini”.

Disa më quajtën demokristiane dhe thanë se po kërkoj të bëj për vete katolikët. E vërteta është se unë nuk ndjek legjitimitete fetare, nuk jam nga ata politikanë që ndryshojnë sipas rrethanave. Jam ajo që kam qenë gjithmonë,” deklaroi ajo, duke shtuar me humor: “Nuk po i ndjek katolikët, mos u shqetësoni. Shpresoj vetëm që Zoti të na ndihmojë, por kjo është tjetër çështje…”

Top Channel