Autoritetet turke kanë arrestuar të shtunën kryetarin e bashkisë së rrethit Bayrampaşa në Stamboll, Hasan Mutlu, së bashku me 47 zyrtarë të tjerë lokalë, në kuadër të një hetimi për korrupsion që përfshin partinë kryesore opozitare në vend, Partinë Popullore Republikane (CHP).

Sipas televizionit shtetëror TRT Haber, Mutlu akuzohet për ryshfet, shpërdorim detyre, mashtrim dhe manipulim të tenderëve publikë. Ai u ndalua në orët e para të mëngjesit të së shtunës, pas një operacioni të madh policor në 72 lokacione të ndryshme në Stamboll, ku u sekuestruan dokumente dhe materiale që lidhen me rastin.

Përmes një reagimi në platformën X (ish-Twitter), Hasan Mutlu mohoi akuzat dhe i cilësoi ato si “sulme politike”.

“Kam shërbyer vetëm për Bayrampaşa-n dhe për ju, qytetarët e mi të nderuar… Ajo që po ndodh është rezultat i operacioneve politike dhe shpifjeve të pabaza,” shkroi ai.

Mutlu është vetëm njëri nga më shumë se një duzinë kryebashkiakësh të zgjedhur nga radhët e CHP-së që janë arrestuar muajt e fundit për akuza të ngjashme. Lista përfshin edhe kryetarin aktual të Bashkisë së Stambollit dhe liderin e partisë, Ekrem İmamoğlu, i konsideruar si rivali kryesor politik i presidentit Recep Tayyip Erdoğan.

İmamoğlu u arrestua në mars, një veprim që shkaktoi protesta të mëdha mbarëkombëtare. Të premten, ai u përball me një gjyq të rëndësishëm, ku akuzohet për falsifikim të diplomës universitare. Prokuroria ka kërkuar deri në 8 vjet e 9 muaj burg dhe një ndalim të tij nga aktiviteti politik. Seanca e radhës do të mbahet në tetor.

CHP akuzon qeverinë se po ndërmerr një fushatë të gjerë për të dobësuar opozitën dhe për t’i hapur rrugën rikandidimit të Erdoganit në vitin 2028, ose më herët nëse mbahen zgjedhje të parakohshme.

Qeveria turke mohon akuzat dhe thotë se gjyqësori në vend është i pavarur.

Të hënën, në një tjetër zhvillim kyç, një gjykatë civile në Ankara do të shqyrtojë kërkesën për anulimin e kongresit të CHP-së të mbajtur në vitin 2023, një vendim që mund të ndryshojë lidershipin e partisë dhe të shkaktojë kaos të brendshëm brenda opozitës, në një kohë kur ajo po përgatitet për betejat e ardhshme elektorale.

Top Channel