Nga Edlira Xherri

Një mur i zakonshëm në një nga rrugët e qytetit të Elbasanit është shndërruar në një hapësirë arti që pasqyron historinë, kulturën dhe identitetin unik të qytetit. Piktori Gaxmend Xhaferri ka realizuar një pikturë murale monumentale, ku janë përfshirë simbolet më të njohura dhe ikonike të Elbasanit, duke e kthyer këtë hapësirë publike në një “muze të hapur” për këdo që kalon, qoftë qytetar apo vizitor.

Një telajo gjigante në mur

Xhaferri rrëfen për Elbasaninews se ideja lindi nga dëshira për të përmbledhur elementet më karakteristike të qytetit:
“Desha të sjell një përmbledhje të Elbasanit me objektet që kanë histori dhe trashëgimi kulturore. Të gjitha këto doja t’i bëja në një telajo, por ky është një mur, një telajo e madhe. Kaq ditë që po punoj këtu dhe më mjaftojnë urimet e njerëzve që kalojnë dhe më thonë ‘të lumshin duart, e ke bërë shumë bukur’. Është kënaqësi të shohësh bashkëbisedimet e njerëzve që diskutojnë ‘është kjo këtu, është kjo’ dhe më vjen mirë që i njohin dhe i dallojnë. Arti nuk është vetëm për piktorët, por për këdo që ka sy dhe dëshirë të lexojë mesazhet që ai përcjell.”

Piktura murale nuk është thjesht një seri ndërtesash dhe monumentesh të vizatuara, por një rrëfim i qytetit. Ajo pasqyron histori, kulturë dhe traditë në një mënyrë të qartë dhe të prekshme për të gjithë.

Simbolet që tregojnë historinë e qytetit

Në mur janë përfshirë disa prej simboleve më të njohura dhe të rëndësishme të Elbasanit. Xhaferri tregon:
“Në fillim kam vizatuar urën e gurit, që ndodhet para Egnatia-s dhe ka vlera të jashtëzakonshme historike. E kam mbyllur me bazilikën, një tjetër monument me lashtësi të veçantë. Më pas vijova me Bashkinë e Elbasanit, që është organizatorja e të gjitha këtyre, dhe pastaj Teatrin e qytetit, i cili nuk është thjesht një ndërtesë, por një simbol i kulturës dhe artit. Shkolla Pedagogjike është gjithashtu e përfshirë, pasi ka nxjerrë breza të tërë arsimtarësh që kanë lënë gjurmë në qytet.”

Por piktura nuk ndalet këtu. Ajo sjell edhe elemente të tjera të rëndësishme për identitetin qytetar: Shtëpinë Etnografike dhe shtëpinë-muze, figurën e Isuf Muzyrit, ikonë e artit elbasanas, dhe Kostandin Kristoforidhin, figurë e shquar në historinë e arsimit. Kalaja e Elbasanit dhe Sahati i qytetit, që janë simbole të dashura për banorët, gjithashtu gjejnë vend në këtë mur, duke krijuar një panoramë të plotë të historisë dhe kulturës së qytetit.

Arti që bashkon qytetarët

Xhaferri shprehet se rëndësia e kësaj vepre nuk është vetëm estetike, por edhe sociale dhe kulturore:
“Arti është i bukur, pavarësisht nëse të gjithë e pëlqejnë apo jo. Kjo vepër lë një mesazh dhe është më e lexueshme për popullin. Do të doja që Elbasani të ishte një qytet-muze, një qytet ekspozitash. Të gjithë mund të ndalojnë, të shohin, të mësojnë dhe të lidhen me historinë dhe kulturën e qytetit.”

Qytetarët dhe vizitorët tashmë e kanë kthyer këtë mur në një pikë tërheqëse për të kaluar kohë, për të bërë foto dhe për të diskutuar për historinë dhe kulturën e qytetit. Përmes kësaj pikture murale, Elbasani fiton jo vetëm ngjyra dhe jetë, por edhe një mënyrë të re për të rrëfyer historinë dhe identitetin e tij në publik.