Me mbështetjen e Fondacionit Shqiptaro–Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe studion prestigjioze MVM Architecture, ka nisur puna për realizimin e projektit BID – Kalaja e Elbasanit.
Në takimin e zhvilluar për nisjen e këtij projekti, Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me partnerët e AADF dhe përfaqësues të MVM Architecture, prezantuan vizionin dhe drejtimet kryesore të ndërhyrjes. Projekti parashikon nxitjen e aktiviteteve kulturore e artistike brenda mureve të kalasë, mbështetjen e bizneseve të vogla tradicionale si dhe promovimin e turizmit lokal.
Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, u shpreh se “ky është një kapitull i ri për Elbasanin. Kalaja do të rikthehet në vlerat e saj maksimale, duke u bërë një pikë e fortë për identitetin historik dhe zhvillimin turistik të qytetit. Falënderoj AADF për mbështetjen dhe partneritetin në këtë projekt madhor.”
Kalaja është një nga vlerat më të çmuara të Elbasanit, e cila tërheq vizitorë nga çdo vend i botës. Ky investim shënon një hap të rëndësishëm për transformimin e saj në një qendër të gjallë të trashëgimisë, kulturës dhe turizmit, duke i dhënë qytetit një dimension të ri zhvillimi.
Edlira Xherri