Në qytetin e Elbasanit, puna për përmirësimin e hapësirave të gjelbra nuk ka ndalur asnjë çast. Ekipet e Agjencisë së Shërbimeve Publike po vijojnë me intensitet ndërhyrjet për sistemimin dhe mirëmbajtjen e ambienteve publike, me synim ofrimin e kushteve sa më cilësore për qytetarët.
Aktualisht, ndërhyrjet janë fokusuar në parkun “Rinia”, një nga hapësirat më të frekuentuara nga elbasanasit, ku po kryhen punime për pastrimin, rregullimin dhe gjelbërimin e mjediseve. Qytetarët që vizitojnë parkun po gjejnë çdo ditë një mjedis më të pastër, më të gjelbër dhe më tërheqës për familjet, fëmijët dhe të rinjtë.
Agjencisa e Shërbimeve Publike thekson se; “Puna jonë nuk ka ndalur asnjë ditë. Synimi ynë është që çdo qytetar i Elbasanit të gjejë hapësira të gjelbra të mirëmbajtura, të pastra dhe funksionale. Çdo investim dhe çdo ndërhyrje që bëjmë, është në shërbim të komunitetit dhe rritjes së cilësisë së jetës në qytet.”
Kujtojmë se një nga synimet kryesore të kryetarit të Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka qenë dhe mbetet transformimi i hapësirave publike dhe gjelbërimi i qytetit, duke e kthyer Elbasanin në një mjedis më të shëndetshëm, më mikpritës dhe më të përshtatshëm për të gjitha moshat.
ASHP garanton se puna për mirëmbajtjen e hapësirave publike do të vijojë pa ndërprerje edhe në zona të tjera të Elbasanit, duke i kthyer ato në ambiente të denja dhe tërheqëse për qytetarët.
Edlira Xherri