Puna në terren nuk është ndalur asnjë ditë në territorin e Bashkisë Elbasan, duke treguar angazhimin e pandërprerë për zgjidhjen e problematikave të komunitetit. Një ndërhyrje e rëndësishme është kryer së fundmi në zonën e Bradasheshit, ku u realizua pastrimi i kanalit kullues, një investim i domosdoshëm për përmirësimin e infrastrukturës dhe parandalimin e problemeve që lidhen me rrjedhjet ujore.
Ky aksion i ndërmarrë nga Bashkia Elbasan është pjesë e një programi të gjerë ndërhyrjesh që synojnë jo vetëm zgjidhje afatshkurtra, por mbi të gjitha garantimin e sigurisë dhe mirëqenies së banorëve. Pastrimi i kanaleve kulluese është një proces i domosdoshëm, sidomos në prag të stinës së reshjeve, për të shmangur përmbytjet apo dëmtimet e infrastrukturës bujqësore dhe rrugore.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, e ka bërë të qartë se një nga prioritetet kryesore të mandatit të tij mbetet përmirësimi i infrastrukturës në çdo lagje e fshat, duke garantuar që qyteti dhe njësitë administrative të jenë të pajisura me shërbime funksionale dhe moderne. Ai ka theksuar se puna për pastrimin e kanaleve, ndërtimin e rrugëve, gjelbërimin dhe çdo element tjetër të infrastrukturës është një proces i vazhdueshëm, ku Bashkia është gjithmonë pranë qytetarëve.
Banorët e Bradasheshit e kanë pritur me pozitivitet këtë ndërhyrje, duke vlerësuar faktin se puna në terren vijon pa ndërprerje dhe përfshin zonat ku prej vitesh ishin evidentuar nevoja të mëdha.
Me këto hapa të qëndrueshëm, Elbasani po konsolidon vizionin e tij si një qytet në zhvillim, ku prioritet mbetet përmirësimi i kushteve të jetesës dhe ofrimi i shërbimeve cilësore për çdo familje.
Edlira Xherri



























