Prej kohësh, Bashkia Elbasan ka ndërmarrë një aksion të gjerë për lirimin e hapësirave publike në të gjithë territorin e saj, duke synuar përmirësimin e kushteve për qytetarët dhe vizitorët. Ky proces është shoqëruar edhe me pastrimin dhe mirëmbajtjen e vazhdueshme të zonave urbane dhe rurale, duke i kthyer ato në hapësira funksionale e të rregullta.

 

Një ndër zonat ku ky aksion ka marrë vëmendje të veçantë është Llixha e Elbasanit, e njohur si destinacioni më i rëndësishëm termal kurativ në vend. Me nisjen e sezonit, Bashkia ka intensifikuar ndërhyrjet për pastrimin dhe mirëmbajtjen e objekteve dhe hapësirave publike në këtë zonë, duke garantuar një përvojë të sigurt dhe të këndshme për mijëra vizitorë e pacientë që frekuentojnë çdo vit Llixhat.

 

Aksioni përfshin pastrimin e hapësirave, largimin e mbeturinave dhe krijimin e ambienteve të lira, duke i dhënë më shumë rendësi standardeve higjieno-shëndetësore. Krahas pastrimit, një tjetër prioritet është edhe mbrojtja e konsumatorëve, ku bizneset dhe operatorët që operojnë në këtë zonë duhet të respektojnë rregullat dhe të garantojnë cilësi në shërbime.

 

Zhvillimi i turizmit shëndetësor dhe i bizneseve vendase ka bërë që Llixha të tërheqë çdo vit jo vetëm vizitorë nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, Maqedonia e Veriut, si dhe vende të tjera europiane si Italia, Gjermania e Franca. Ky trend në rritje ka nxjerrë edhe më shumë në pah domosdoshmërinë e mbajtjes së hapësirave publike të pastra dhe funksionale.

 

Bashkia Elbasan apelon për bashkëpunim nga të gjithë qytetarët dhe operatorët, duke theksuar se lirimi i hapësirave publike dhe pastrimi nuk kufizohet vetëm në Llixha, por është një proces që vijon në të gjitha lagjet dhe njësitë administrative, me synim krijimin e një qyteti më të pastër, më të rregullt dhe më mikpritës për të gjithë.