Gjithçka është gati për përballjen e zjarrtë mes Serbisë dhe Shqipërisë, që luhet sonte në Leskovc.

Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar stërvitjen e fundit nën urdhrat e Sylvinhos, i cili pritet të zbresë në fushë me formacionin më të mirë të mundshëm.

Nga ajo që raportohet, kuqezinjtë pritet të nisin me Strakoshën në portë, mbrojtjen me Hysaj, Ajeti, Gjimshiti dhe Mitaj, në mesfushë Laçi, Asllani e Shehu, ndërsa në sulm Broja, Bajrami dhe Manaj.
Bookmakers-at e shohin Serbinë si favorite për shkak të faktorit fushë, me koeficient 1.70 për fitoren e Serbisë, 3.40 për barazimin dhe 5.75 për fitoren e Shqipërisë.

Ndërkohë, hoteli ku qëndron kombëtarja shqiptare në Nish vijon të jetë i rrethuar dhe i blinduar nga forca të shumta policore dhe njësi speciale serbe, për të garantuar sigurinë maksimale të skuadrës kuqezi në prag të sfidës.

Digitalb do të sjellë emocionet e ndeshjes Serbi-Shqipëri që luhet sot në orën 20:45.

10:49 Bastet/ Koeficientët favorizojnë vendasit, ja sa kuotohet fitorja e Shqipërisë në tokën serbe

Serbia dhe Shqipëria përballen sonte në Leskovc në një ndeshje të zjarrtë të kualifikueseve të Botërorit 2026, dhe bookmakers-at e kanë bërë të qartë se presin një sfidë të luftuar deri në fund. Sipas koeficienteve të fundit, fitorja e Serbisë vlerësohet me 1.70, duke e bërë skuadrën vendase favorit kryesor për tri pikët. Barazimi kuotohet me 3.40, ndërsa një fitore e Shqipërisë ka koeficientin 5.75, duke reflektuar një skenar më pak të mundshëm sipas tregut të basteve.

10:22 Përgatitjet për Serbi-Shqipëri, asnjë taksi pranë hotelit të Kombëtares shqiptare, rreth 5000 forca policie për të ruajtur rendin

Në kuadër të ndeshjes Seri-Shqipëri, janë shtuar masat për sigurinë e kombëtares shqiptare. Gazetari i Top Channel Endi Tufa raporton nga Serbia për detaje të reja lidhur me procedurat e sigurisë dhe kufizimet që po zbatohen për të siguruar rendin dhe organizimin e ndeshjes. ‘Asnjë taksi apo makinë nuk lejohet të dalë apo të vijë në hotel. Në çdo pikë kontrolli, ku ndodhen makinat e sigurisë, na kërkuan mjet identifikimi dhe kartën e dhomës së hotelit’, raporton Tufa.

10:07  Formacionet e mundshme/ Sylvinho i beson rreshtimit “bazë”, cilat janë 11-shet që priten të hedhin në fushë të dyja skuadrat

Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar dje në Leskovc seancën e fundit stërvitore përpara përballjes me Serbinë, një ndeshje që pritet me interes të madh nga tifozët kuqezi. Pas përfundimit të seancës, trajneri Sylvinho duket se ka hedhur dritë të plotë mbi 11-shen që do të zbresë në fushë mbrëmjen e sotme. Kuqezinjtë do të nisin me Strakoshën në portë. Katërshja mbrojtëse do të përbëhet nga kapiteni Hysaj në të djathtë, Ajeti e Gjimshiti në qendër dhe Mitaj në të majtë.

Top Channel