Ekipi i Elbasanit është shpallur Kampion Kombëtar Ekipor për të Rritur 2025, pas një finaleje spektakolare të mbushur me emocione, pasion dhe nivel të lartë sportiv. Skuadra elbasanase tregoi përgatitje, shpirt gare dhe bashkëpunim perfekt në çdo ndeshje, duke u ngjitur në majën e ping-pongut shqiptar.

 

Në garën për titull, sportistët e Elbasanit zhvilluan një performancë të shkëlqyer, duke triumfuar ndaj kundërshtarëve me vendosmëri dhe teknikë të admirueshme. Sportistët kampionë kombëtarë: Sadush Tosuni, Dorian Tapia, Enea Zenelhoxha dhe Marin Baholli.

 

Trajnerët: znj. Greta Kovaçi & z. Gëzim Tosuni, të cilët me përkushtim dhe punë të palodhur kanë udhëhequr ekipin drejt suksesit, duke e kthyer Elbasanin në një qendër të rëndësishme të këtij sporti në vend. Përveç fitores ekipore, Sadush Tosuni u vlerësua si “Sportisti i aktivitetit”, një njohje që konfirmon talentin dhe kontributin e tij të vazhdueshëm në sportin e ping-pongut.

 

Edhe ekipi i femrave të Elbasanit shkëlqeu në Kampionatin Kombëtar të të Rriturve 2025, duke u renditur në vendin e dytë dhe dëshmuar potencial të lartë dhe vazhdimësi suksesi në arenën kombëtare.

 

Ky rezultat është fryt i përkushtimit të sportistëve, punës së palodhur të trajnerëve dhe mbështetjes së vazhdueshme që sporti i ping-pongut gëzon në qytetin e Elbasanit.

 

Elbasani shkruan një tjetër faqe të artë në historinë e ping-pongut shqiptar, duke u kthyer në simbol të pasionit, disiplinës dhe talentit sportiv!

Nga Edlira Xherri