“Shumë pak vrasës”, komedia e ngritur mbi motivet e veprës së Paul Portner, është një zgjedhje e gjetur mes humorit të zi, situatave absurde dhe një strukture të pazakontë narrative, ku publiku shndërrohet në pjesë aktive të zgjidhjes së një misteri kriminal.
Nën regjinë e Rozi Kostanit, e cila mbetet vetë një karakter më vete brenda shfaqjes, “Shumë pak vrasës” shndërrohet në një shembull të suksesshëm të teatrit të hapur: spektatori nuk është vetëm vëzhgues, por kontribues në zhvillimin e konfliktit dramatik, në hetim, në përballjen e fakteve dhe në përcaktimin e zgjidhjes finale.
Tipizimi i personazheve është një “skulpturë” më vete dhe dëshmon harmoninë mes konceptit regjisorial dhe një ansambli dinamik aktorësh që arrijnë të përballojnë me vërtetësi, ritëm dhe improvizim estetik sfidat e një performance interaktive.
Interpretimi i Helido Finos e çon Tony Whitcomb përtej kornizave të zakonshme. Me prani skenike energjike dhe të rafinuar, Fino ndërton një figurë që lëviz mjeshtërisht midis teatralitetit ekstravagant dhe një tensioni të brendshëm emocional. Gjesti, intonacioni dhe mimika janë të kuruara në detaj, duke sjellë një personazh që shpërfaq humor të skajshëm pa e humbur asnjëherë ndjeshmërinë dhe masën artistike.
Po aq i spikatur në ansambël është edhe interpretimi i Ola Harizajt, e cila me sharm dhe finesë sjell në skenë zonjën Schubert. Loja e saj ndërthur delikatesën me një tension të nënkuptuar, duke krijuar një karakter që shijohet estetikisht dhe qëndron gjatë në kujtesën e publikut.
Një komedi me shije, ngjyrë, formë, stil dhe mbi të gjitha me mendim: një rikujtim se e vërteta shpesh ndërtohet mbi perceptime e paragjykime, e jo gjithmonë mbi fakte.




























