Drejtori i Klubit Shumësportësh Elbasan, Artin Kovaçi, priti sot në zyrën e tij kampionen Enkileda Carja së bashku me trajneren e saj, Eglantina Kalemi. Takimi u konsiderua i rëndësishëm për klubin, pasi Carja është një ndër sportistet që kanë dalë nga ky klub dhe që me arritjet e saj vijon t’i japë vlerë emrit të Elbasanit.
Gjatë bisedës, e cila u zhvillua në ambientet e klubit, u diskutua për planet e së ardhmes, sfidat e rrugës drejt rezultateve të tjera të rëndësishme dhe vizionin për zhvillimin e sportit. Drejtori Kovaçi vlerësoi arritjet e Carjas, duke theksuar se historia e saj është një frymëzim për brezat e rinj të sportistëve.
Enkileda Carja, e njohur për disiplinën dhe sukseset e saj në garat kombëtare dhe ndërkombëtare, u cilësua si një histori suksesi që nis pikërisht nga Elbasani. Po ashtu, u theksua roli i trajneres Eglantina Kalemi në formimin dhe konsolidimin e rezultateve të sportistes.
Enkileda Carja disa ditë me parë është shpallur kampione e trefishtë e Europës në Europianin për të rinj dhe U23
Carja dhuroi spektakël duke thyer 3 rekorde europiane në kategorinë Youth (63 kg) dhe 1 rekord bote në shkëputje për Youth!
Rezultatet:
Shkëputje: 98 kg
Shtytje: 118 kg
Dygarësh: 216 kg
Ajo realizoi me sukses të gjashta provat, duke shfaqur një performancë të jashtëzakonshme, të mbushur me vetëbesim dhe teknikë perfekte, falë punës së palodhur të saj dhe të trajneres Eglantina Kalemi!
Me këtë paraqitje, Enkileda përmirësoi edhe rezultatin e saj nga Botërori i Perusë, ku kishte ngritur 213 kg në total.
Edlira Xherri




























