Këshilli Bashkiak i Bashkisë Elbasan, gjatë mbledhjes së zhvilluar ditën e sotme, ka miratuar emërimin e z. Elsid Zyma në detyrën e Sekretarit të Këshillit Bashkiak, një funksion me rëndësi të veçantë për mbarëvajtjen administrative dhe institucionale të këtij organi vendor.
Emërimi i z. Zyma mbështetet në një përvojë të gjerë profesionale, të ndërtuar ndër vite si në administratën publike, ashtu edhe në drejtimin institucional dhe sipërmarrjen private, duke e kthyer atë në një emër të njohur në jetën publike të qytetit të Elbasanit.
Që prej vitit 2005, ai ka qenë i angazhuar në biznesin privat në fushën e produkteve ushqimore, si drejtues i firmës “Zyma”, ku ka ushtruar funksione menaxheriale, administrimin e stafit dhe zhvillimin e marrëdhënieve tregtare.
Karriera e tij në administratën publike nis në vitin 2009 pranë Bashkisë Elbasan, si specialist për vendosjen e tatim-taksave. Më pas, z. Zyma ka mbajtur disa poste drejtuese në institucionin e Ujësjellës-Kanalizimeve Elbasan, përfshirë detyrën e Zëvendësdrejtorit, Shefit të Departamentit të Përgjithshëm të Shërbimeve dhe Drejtorit të Përgjithshëm, ku është angazhuar në drejtimin teknik, menaxhimin e fondeve dhe monitorimin e projekteve investive.
Në vijim, ai ka shërbyer si Drejtor Rajonal i Entit Kombëtar të Banesave për Elbasanin, duke u fokusuar në politikat e strehimit, ndërsa në periudhën shkurt 2021 – korrik 2025 ka mbajtur postin e Administratorit të Njësisë Administrative Nr. 2 pranë Bashkisë Elbasan.
Aktualisht, z. Zyma ushtron edhe detyrën e Drejtorit të Administratës pranë Drejtorisë së Sportit dhe Kulturës.
Sa i përket formimit arsimor, ai ka përfunduar arsimin e mesëm në shkollën “Kostandin Kristoforidhi” dhe studimet universitare në Fakultetin Ekonomik, dega Ekonomi dhe e Drejtë, si dhe zotëron certifikime profesionale dhe aftësi në disa fusha mbështetëse të administrimit publik.
Emërimi i tij në postin e Sekretarit të Këshillit Bashkiak pritet të ndikojë në forcimin e funksionimit institucional, rritjen e eficiencës administrative dhe garantimin e korrektësisë procedurale në veprimtarinë e Këshillit Bashkiak të Elbasanit.
Edlira Xherri


























