Një stuhi e fuqishme dimërore ka përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shkaktuar të paktën 16 viktima dhe duke lënë mbi 800 mijë familje pa energji elektrike

Autoritetet paralajmërojnë se kushtet e motit janë kërcënuese për jetën dhe përfshijnë një territor të gjerë, nga Teksasi deri në Nju Ingland. Deri më tani nga moti i keq janë prekur 17 shtete.

Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, reshjet e dendura të borës, shiu ngrirës dhe temperaturat ekstremisht të ulëta pritet të zgjasin për disa ditë. Në Luiziana, dy persona kanë humbur jetën nga hipotermia, ndërsa vdekje të tjera të lidhura me stuhinë janë raportuar në Teksas, Tenesi dhe Kansas. Në Nju Jork, autoritetet po hetojnë disa raste vdekjesh të ndodhura gjatë fundjavës, ku dyshohet se i ftohti ka qenë faktor ndikues.

Situata ka shkaktuar kaos në infrastrukturë. Rrugë dhe autostrada janë bllokuar, ndërsa qindra aksidente janë regjistruar në disa shtete, përfshirë Virxhinian dhe Kentakin. Reshjet e akullit kanë rrëzuar pemë dhe kanë dëmtuar linja elektrike, duke sjellë ndërprerje masive të energjisë.

Transporti ajror është paralizuar, me mbi 11 mijë fluturime të anuluara në të gjithë vendin. Shkollat në dhjetëra shtete kanë pezulluar mësimin, ndërsa pothuajse gjysma e shteteve amerikane kanë shpallur gjendje emergjence. Edhe Senati amerikan ka shtyrë një votim të planifikuar për shkak të kushteve ekstreme.

Guvernatorët dhe kryebashkiakët u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin çdo udhëtim të panevojshëm. Në disa shtete jugore, si Teksasi, Luiziana dhe Tenesi, temperaturat janë deri në 20 gradë Celsius nën mesataren sezonale, një fenomen i pazakontë për këto zona.

Sipas ekspertëve, shkaku i stuhisë lidhet me dobësimin e vorbullës polare, e cila ka lejuar depërtimin e masave shumë të ftohta të ajrit arktik drejt jugut të SHBA-së. Parashikimet tregojnë se i ftohti ekstrem pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, deri në fillim të muajit shkurt.

Mot i ashpër është regjistruar edhe në Kanada, ku reshje të dendura bore kanë shkaktuar anulime fluturimesh dhe vështirësi në qarkullim, veçanërisht në provincën e Ontarios.

Top Channel