Nisur nga shqetësimet e disa banorëve të lagjes “Emin Matraxhiu” për ndërhyrjet që Bashkia Elbasan po kryen për zgjerimin e hapësirave të varrezave të qytetit, sqarojmë:
Varrezat publike të qytetit të Elbasanit kanë qenë të vendosura në atë zonë historikisht.
Plani rregullues i vitit 1988 vendosi zgjerimin e hapësirës për varrezat publike po në në atë zonë, pra në jug dhe juglindje të qytetit, pranë lumit Shkumbin.
Në Planin e Përgjithshëm Vendor të miratuar në vitin 2016 zona e parashikuar për varreza nuk u ndryshua ndërsa u përcaktua më tej se e gjithë hapësira e ndodhur aty, tokë shtet, bujqësore apo privat, do të shpronëzohej në interes publik të zgjerimit të varrezave.
Në lidhje me zgjerimin e hapësirës për varreza janë marrë parasysh distancat nga banesat, sipas rregullores për projektimin e dhe ndërtimin e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Gjejmë rastin të theksojmë se banesat në këtë zonë kanë ardhur si një proces informal pa marrë parasysh interesin publik dhe në kundërshtim me Planet Rregulluese ndër vite. Megjithatë në kushtet ku aktualisht ndodhemi Bashkia Elbasan po respekton distancat në zbatimin e projektit siç është e parashikuar.


























