Këshilli Bashkiak i Elbasanit miratoi sot marrëveshjen e bashkëpunimit për zbatimin e projektit “Transformimi Ligjor dhe Rregullator për Eficencë të Përmirësuar të Energjisë”, një nismë që synon forcimin e kuadrit ligjor dhe institucional për menaxhimin e energjisë së rinovueshme në nivel vendor.

Në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimeve me partnerë strategjikë dhe sigurimit të granteve në fusha që lidhen me eficiencën e energjisë dhe klimën, Bashkia Elbasan ka aplikuar pranë OSF Western Balkans në përputhje me objektivat e saj për rritjen e eficiencës energjetike dhe veprimit klimatik, të harmonizuara me Marrëveshjen e Asocimit të Shqipërisë me programet Horizon Europe. Si rezultat i këtij aplikimi, Bashkia Elbasan është shpallur fituese e grantit.

Projekti synon hartimin e modeleve të standardizuara për menaxhimin e energjisë së gjeneruar nga sistemet fotovoltaike në shtatë institucione arsimore në Bashkinë Elbasan, të investuara më herët nga OSFA. Qëllimi kryesor është zhvillimi i një procesi advokimi në nivel lokal dhe qendror, për harmonizimin e kuadrit të ri ligjor vendor me politikat dhe legjislacionin kombëtar, duke garantuar zbatueshmëri dhe qëndrueshmëri afatgjatë.

Zbatimi i marrëveshjes do t’i mundësojë Bashkisë Elbasan hartimin e kuadrit ligjor përkatës, përgatitjen e rregullores për menaxhimin e energjisë së gjeneruar, zhvillimin e modeleve të standardizuara të menaxhimit, hartimin e planit të kontrollit dhe realizimin e proceseve të advokimit dhe koordinimit në nivel qendror.

Bashkia Elbasan ka ndërmarrë prej kohësh hapa konkretë drejt tranzicionit energjetik, duke instaluar sisteme fotovoltaike në shtatë institucione arsimore, investime që kanë sjellë kursime buxhetore dhe ulje të varësisë nga burimet tradicionale të energjisë. Megjithatë, mungesa e një baze të qartë ligjore dhe rregullatore në nivel vendor ka kufizuar menaxhimin e standardizuar të energjisë së prodhuar.

Projekti i miratuar synon pikërisht adresimin e këtij boshllëku, duke vendosur themelet për një model vendor të qëndrueshëm të tranzicionit energjetik, të bazuar në transparencë, eficiencë dhe parashikueshmëri, si dhe duke qartësuar rolin e pushtetit vendor në menaxhimin e energjisë së gjelbër.