Rusia nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë marrëveshje, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka përshëndetur nismën. Trump nuk sqaroi se kur do të nisë pauza, por gjatë natës drejt së premtes, alarmet ajrore u dëgjuan vetëm në katër rajone ukrainase pranë vijës së frontit.
Temperaturat në Kiev pritet të zbresin deri në -24 gradë Celsius në ditët në vijim. Prej javësh, Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, një taktikë e përdorur edhe më herët gjatë periudhave të ftohta që nga nisja e pushtimit në vitin 2022.
Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se katër rajonet e prekura u sulmuan me 80 dronë rusë dhe një raketë balistike.
Duke folur në një mbledhje të kabinetit në Uashington, Trump tha se i kishte kërkuar personalisht Putinit të ndalonte sulmet për një javë dhe se ai kishte pranuar. Sipas tij, ukrainasit fillimisht nuk e besuan, por e pritën lajmin me lehtësim për shkak të situatës së rëndë humanitare.
Në një reagim në rrjetet sociale, Zelensky e cilësoi deklaratën e Trump si të rëndësishme, duke theksuar mundësinë e garantimit të sigurisë për Kievin dhe qytetet e tjera gjatë dimrit ekstrem. Ai shtoi se bisedimet janë zhvilluar në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe se pritet zbatimi i marrëveshjeve.
Sipas BBC Ukraina ka rënë dakord të veprojë në mënyrë të ngjashme, duke pezulluar sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës.
Javën e kaluar, përfaqësues të Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së zhvilluan bisedime trilaterale në Emiratet e Bashkuara Arabe, takimet e para të këtij niveli që nga nisja e luftës. Edhe pse u cilësuan si konstruktive, nuk ka pasur njoftim zyrtar për një armëpushim të plotë gjatë periudhës së të ftohtit ekstrem.
Ndërkohë, sulmet kanë vazhduar, duke dëmtuar rëndë furnizimin me energji elektrike në qytetet kryesore të Ukrainës dhe duke lënë miliona njerëz pa ngrohje dhe energji. Riparimet kryhen pa ndërprerje, por shpesh zhbëhen nga sulme të reja ajrore. Edhe kur energjia rikthehet, ajo zgjat vetëm disa orë, e pamjaftueshme për të ngrohur banesat.
Top Channel



























