Gjatë qëndrimit të saj në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, u ftua si folëse kryesore në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Johns Hopkins.

Ajo, bashkë me ekspertin e njohur Edward Joseph, profesorë, studentë dhe shqiptarë që jetojnë në SHBA, analizuan rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së dhe rolin e ri të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Spiropali u ndal te shndërrimi i Shqipërisë nga vendi më i izoluar i Europës, në vendin kandidat që synon të ulet në tryezën e Bashkimit Europian përmes rezultateve, implementimit të një sërë reformash strukturore.

“Në vetëm 13 muaj, hapëm të gjithë grupkapitujt e negociatave. Ky është rezultati i reformave të vështira dhe fokusit të qëndrueshëm politik. Por tani fillon puna më e vështirë. Po punojmë intensivisht dhe përmes një agjende objektivash për të mbyllur grupkapitujt deri në vitin 2027 dhe për të siguruar anëtarësimin deri në vitin 2030. Pra bëhet fjalë për progres të vërtetë në disa fusha si sundimi i ligjit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, fuqizimi i institucioneve demokratike, etj. Këtu është gjithashtu vendi ku mbështetja e SHBA-së ka qenë jetike gjatë viteve: në forcimin e reformës sonë në drejtësi dhe transparencës. Reforma në drejtësi, në veçanti, është reforma më e thellë dhe më transformuese në Shqipërinë moderne”, tha Spiropali.

Ankorimi i Shqipërisë drejt vlerave perëndimore, sipas Ministres së Jashtme, nuk është për një zgjedhje rastësore dhe as e përkohshme, por strategjike.

“Është e rrënjosur në identitet dhe në realitetet e forta të sigurisë. Administratat ndryshojnë, politikat evoluojnë, por busulla strategjike e Shqipërisë nuk mund dhe nuk do të largohet nga bashkësia euroatlantike”, tha Spiropali.

Spiropali iu bashkua gjithashtu Samitit “Western Balkans Forward”, organizuar nga Këshilli i Atlantikut.

Në panel me Ambasadorin Philip Reeker dhe gazetaren Ilva Tare, Spiropali foli për “Imperativin gjeopolitik të zgjerimit të BE drejt Ballkanit Perëndimor”.

Ministrja theksoi se “procesi i zgjerimit të BE-së është një instrument gjeostrategjik që BE-ja duhet ta përdorë për Shqipërinë dhe për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, si proces që garanton në thelb sigurinë europiane”.

“Ballkani Perëndimor nuk është më një zonë pas-konflikti, por një vijë e parë e sigurisë dhe e konkurrencës evropiane. Paqëndrueshmëria rajonale, ndikimi rus dhe presionet hibride e bëjnë zgjerimin më urgjent. Kjo e bën zgjerimin jo vetëm një proces transformues për vendet tona, por edhe një instrument për një Evropë më të sigurt, më të qëndrueshme dhe më të begatë. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përparojnë në procesin e zgjerimit, sepse një rajon i integruar në BE është padyshim më i sigurt, me më shumë bashkëpunim rajonal dhe më i begatë në fund. Zgjerimi duhet të trajtohet absolutisht si instrument sigurie dhe jo si mekanizëm burokratik shpërblimi”, tha Spiropali.

Ministrja nënvijëzoi se përveçse një proces i bazuar në meritë, zgjerimi është një proces i lidhur me kohën dhe se çdo zvarritje, përbën rrezik sigurie. Edhe për Shtetet e Bashkuara, sipas saj, zgjerimi është një interes strategjik.

“Ky ka qenë gjithmonë qëndrimi ynë. Pra po, një proces i bazuar në meritë, dhe ne besojmë plotësisht në këtë, sepse duhet të jetë një proces i besueshëm, por edhe transformues për vendet tona, për shtetin tonë dhe shoqëritë tona  i bazuar në meritë, por edhe i lidhur me kohën. Çdo zvarritje, sipas nesh, përbën rrezik sigurie. Gjithmonë ka qenë kështu, por veçanërisht tani është bërë edhe më e dukshme. Vonesa krijon vakuum strategjik. E kemi diskutuar më herët këtë dhe nuk dua të përsëris, por vakuumi tërheq aktorë dhe ndikime dashakeqe, dhe kjo duhet shmangur me çdo kusht. Pyetja nuk është më nëse zgjerimi duhet të ecë me kujdes, por nëse vonesat janë shndërruar tashmë në rrezik sigurie”, tha Spiropali.

Ministrja e Jashtme shtoi se procesi i zgjerimit në Ballkanin Perëndimor është gjithashtu në interesin strategjik BE-SHBA, për shumë arsye:

“Kohezioni i NATO-s, rritja e qëndrueshmërisë demokratike dhe kufizimi i ndikimeve dashakeqe, veçanërisht nga Rusia dhe Kina. Për Shtetet e Bashkuara, zgjerimi, ashtu si për ne  nuk është bamirësi; është strategji parandaluese dhe interes strategjik. Dhe kështu duhet ta shohim. Pavarësisht diskutimeve aktuale midis SHBA-së dhe BE-së, Ballkani Perëndimor mund të jetë një provë për koherencën e aleancës euroatlantike, dhe pikërisht këtu, këto dy dimensione bashkohen”, përfundoi Spiropali.

Ministrja u ndal edhe në ftesën e Presidentit Trump drejtuar Kryeministrit Rama për t’ju bashkuar Bordit të Paqes, si një sinjal i fortë i besimit politik dhe njohje e rolit konstruktiv ndërkombëtar që Shqipëria ka luajtur vitet e fundit në çështjet ndërkombëtare.

Top Channel