Në kuadër të programit ndërkombëtar #NetZeroCities, Bashkia Elbasan po ndërmerr hapa konkretë për të përshpejtuar tranzicionin drejt një qyteti të gjelbër dhe të qëndrueshëm. Përmes projektit “GreenElb – Green and Sustainable Energy in Elbasan Buildings”, po zhvillohen iniciativa të fokusuara në përmirësimin e eficiencës energjetike në ndërtesat publike dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët.

Projekti zbatohet në bashkëpunim me Urban Research Institute (URI) dhe synon forcimin e kapaciteteve profesionale të stafit të Bashkisë Elbasan, përmes trajnimeve të specializuara mbi menaxhimin e energjisë, vlerësimin e performancës energjetike të ndërtesave dhe planifikimin e investimeve të qëndrueshme. Këto masa kanë për qëllim uljen e konsumit energjetik dhe krijimin e standardeve më të larta të qëndrueshmërisë urbane.

“GreenElb” përfaqëson një hap të rëndësishëm në zbatimin e politikave vendore për zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e mjedisit, duke e pozicionuar Elbasanin si një nga qytetet model në procesin e tranzicionit të gjelbër.

Bashkia Elbasan mbetet e angazhuar për të zgjeruar nisma të ngjashme, të cilat kontribuojnë në uljen e ndotjes, përdorimin efikas të burimeve energjetike dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme për brezat që vijnë.