ATSH/ Korridori 8, me pikënisje në kompleksin portual Durrës – Porto Romano dhe dalje në Detin e Zi është përfshirë zyrtarisht në planet dhe infrastrukturën kritike ushtarake të NATO, duke u njohur si korridor sigurie për mbrojtjen kolektive të Aleancës.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi ka reaguar sot lidhur vendimin e marrë një ditë më parë në Ministerialin e Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, të mbajtur në Bruksel, ku merrte pjesë edhe ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu.

Peleshi thekson se “përfshirja zyrtare e Korridorit VIII në infrastrukturën kritike ushtarake të NATO-s shënon një arritje strategjike që e vendos Shqipërinë në qendër të arkitekturës së sigurisë euroatlantike”.

Kryeparlamentari nënvizon se ky zhvillim “forcon rolin e Shqipërisë si urë lidhëse në rajon dhe dëshmon se investimet afatgjata në siguri dhe infrastrukturë po e konsolidojnë vendin tonë si një partner kyç të Aleancës”.

Ky zhvillim e pozicionon Shqipërinë në një nyje strategjike të arkitekturës së sigurisë euroatlantike dhe e vendos vendin në qendër të planeve rajonale dhe infrastrukturave, ku NATO do të përqendrohet në vitet në vijim.

Ndërkohë, kanë nisur edhe përgatitjet për Samitin e NATO-s që do të mbahet në Tiranë në vitin 2027, në bashkëpunim me palën turke dhe Sekretariatin e Aleancës në Bruksel.