Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se “askush nuk është mbi ligjin”, referuar akuzave ndaj Dukës Andrew, i njohur gjithashtu si Andrew Mountbatten-Windsor

Në një intervistë për BBC, Starmer theksoi se parimi i barazisë para ligjit është thelbësor dhe duhet të zbatohet njësoj për këdo. Megjithatë, ai nuk pranoi të thotë nëse ish-princi duhet të paraqitet vullnetarisht në polici, duke theksuar se kjo është çështje që i takon organeve ligjzbatuese.

Aktualisht, policia britanike po shqyrton akuza të reja që lidhen me financierin e ndjerë amerikan Jeffrey Epstein. Pretendohet se një grua tjetër është trafikuar në Mbretërinë e Bashkuar nga Epstein për një takim me Andrew në vitin 2010, në rezidencën Royal Lodge.

Presioni ndaj ish-princit është rritur edhe nga Shtetet e Bashkuara. Autoritetet amerikane dhe familjarë të së ndjerës Virginia Giuffre i kanë bërë thirrje Andrew të dëshmojë para Kongresit amerikan.

Giuffre kishte pretenduar se ishte trafikuar nga Epstein dhe bashkëpunëtorja e tij Ghislaine Maxwell dhe se ishte detyruar të kryente marrëdhënie seksuale me Andrew, akuza që ai i ka mohuar vazhdimisht. Çështja civile në SHBA u mbyll në vitin 2022 me një marrëveshje financiare jashtë gjykate.

Hetimet janë në fazë vlerësimi dhe deri më tani nuk është ngritur asnjë akuzë penale ndaj Andrew.

Top Channel