Vendi ynë prej mbrëmjes së djeshme, me ndalimin e reshjeve të shiut dhe të dëborës, është mbërthyer nga një i ftohtë ekstrem që ishte parashikuar nga sinoptikanët. Megjithatë kjo e sotmja nuk është dita më e ftohtë e këtij muaji, sipas meteorologes Lajda Porja, temperaturat minimale sot janë -10 gardë në zonat malore, ndërsa të martën, që pritet të jetë dita më e ftohtë, termometri zbret në vlerën -17 gradë.

“Menjëherë është ndjerë rënia e temperaturave ku zonat malore regjistrojnë -10 gradë, në zonat më të ulëta -5 gradë ndërsa Tirana ka arritur vlerën -2 gradë. Megjithëse moti do të jetë i kthjellët dhe dielli i pranishëm, pritet që temperaturat të pësojnë sërish ulje të hënë. Në mëngjesin e së hënës temperaturat do të jenë të ftohta, me kulmin ditën e martë, ku termometri zbret në vlerën -12 gradë në pjesën më të madhe të zonave malore dhe në disa zonat të thella të verilindjes dhe juglindjes termometri do të shënojë -17 gardë.  Ndërsa në zonat e ulëta do të ulen deri në -8 gradë”, tha ajo.

Moti këto ditë do të jetë i kthjellët, nuk pritet që të ketë reshje. Problematike do të jenë ngricat, duke qenë se zonat malore do të jenë përgjatë 24 orëshit me temperatura minus.