TIRANË, 18 maj/ATSH/ Në kuadër të Programit të Rindërtimit janë angazhuar rreth 1.2 miliardë dollarë, afërsisht sa ishte shuma e dëmit e vlerësuar nga njësitë ndërkombëtare, nga tërmeti i fortë që goditi vendin tonë mëngjesin e 26 nëntorit të vitit 2019.
Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, njëkohësisht ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave Ekonomike, deklaroi sot pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave se në shumicën e bashkive Rindërtimi është në përfundim dhe se dy zonat ku do të vijojë puna përtej vjeshtës së këtij viti janë “Kombinati” dhe “5 Maji”, të dyja në Tiranë, për arsye që kanë të bëjnë me proceset gjyqësore, vlerësimit apo dhe shpronësimet.
“Shuma në programin e rindërtimit në të gjitha vitet ato të kaluara dhe në periudhën prej 18 muajsh në vijim që lidhet vetëm me financimin presupozohet të arrijë në 1.2 miliardë dollarë gati gati sa shifra që është llogaritur nga njësitë ndërkombëtare si dëm nga tërmeti i 26 nëntorit 2019”, deklaroi Ahmetaj.
Duke e cilësuar Rindërtimin si programin e investimeve publike më social dhe më unik, që ka prekur në mënyrë drejtpërdrejtë dhe indirekt gjysmë milioni qytetarë, Ahmetaj tha se në të njëjtën kohë, është programi i investimeve publike që ka pjesëmarrjen më të gjerë të kompanive në të gjitha fazat e veta që nga projektimi e deri te ndërtimi.
Zv/kryeministri Ahmetaj deklaroi se përmes FSHZH-së janë angazhuar 137 kompani, ndërsa përmes bashkisë së Tiranës, që është njësi zbatuese më vete janë angazhuar 190 kompani.
Ahmetaj vuri në dukje se krahas shtëpive që po dorëzohen tek familjet e prekura, po ndërtohen edhe 167 shkolla. Vetëm në Tiranë, informoi ai, po ndërtohen 37 shkolla.
“Numri i shkollave të ndërtuara në zonat e prekura nga tërmeti është më e lartë se sa numri i shkollave të ndërtuara në të gjithë territorin në 20 vitet e fundit”, deklaroi Ahmetaj. /j.p/



























