ATSH/ Zv.kryeministri dhe Ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj deklaroi sot se edhe në raportin e FMN-së vlerësohet puna e qeverisë për menaxhimin e dy krizave, ndërsa siguroi se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë për konsumatorin familjar, as për biznesin e vogël.
“Apologjitë gjysëm “migjeniane” të bazuara në padituri nuk e tregojnë faktin ashtu si statistikat dhe FMN tregon. FMN thotë: ekonomia shqiptare është rritur me shpejtësi pas dy goditjeve, tërmetit dhe pandemisë“, tha Ahmetaj.
Sipas tij, ekonomia shqiptare është bazuar në sektorë të rritur dhe konsum. “Konsumi është rritur me 10 %. Sigurisht ka varfëri, por varfëria është më e ulët se sa ka qenë në Shqipëri. Por prandaj vijmë dhe propozojmë reforma”, tha ai.
Sipas Ahmetaj, FMN deklaroi se qeveria shqiptare e ka përballuar krizën për shkak të mirëmenaxhimit të financave publike në 6 vite.
Zv.kryeministri Ahmetaj iu përgjigj akuzave të opozitës duke cituar deklaratën e FMN-së.
“FMN thotë: bilanci i autoriteteve për të mbajtur nën kontroll deficitin fiskal dhe për të ulur borxhin para goditjeve u ka krijuar atyre besueshmërinë dhe hapësirën për politikat e ndjekura, duke u lejuar autoriteteve të reagojnë shpejt për të mbrojtur Shqipërinë nga efektet e rënda të goditjeve”, tha Ahmetaj.
Lidhur me akuzat e opozitës për rritje të borxhit publik, Ahmetaj tha se janë 100 vende që përdorin rregullin fiskal që e kanë thyer atë.
“Janë 100 vende që përdorin rregullin fiskal dhe të 100-ta e kanë thyer për t’ju përgjigjur nevojave të qytetarëve. U zgjerua dhe do të zgjerohet prapë se kemi besueshmëri. Kemi emergjencë për vaksinat, ashtu si dhe për investimet publike. Unaza e Madhe e Tiranës do të bëhet, rruga Kardhiq-Delvinë do të bëhet, tuneli po ashtu, Ujësjellësit do të bëhen ndaj ju ftoj të rrëzoni dekretet e Presidentit”, tha Ahmetaj.
Ahmetaj siguroi se çmimi i energjisë elektrike pavarësisht krizës nuk do të rritet as për konsumatorin familjar dhe as për biznesin e vogël. “Do kujdesemi edhe për pjesën tjetër, ata që ju i quani oligark, por që nuk janë oligarkë, por janë punëdhënës”, deklaroi Ahmetaj.
Zv,kryeministri tha se në vitin 2013 humbjet në rrjet ishin 45%. “Imagjinoni sikur të ishim në vitin 2013. Humbja për shkak të menaxhimit ka qenë 1.1 miliardë lekë. Si mund të flisni për vjedhje të energjisë, kur blerjet bëhen në platformë”, deklaroi zv.kryeministri.
Sipas tij, janë 200 mijë familje që mbështesim për çmimin e energjisë elektrike. “Ju subvencionuat CEZ-in. Ne hoqëm fashat dhe e çuam çmimin për kilovat nga 13.5 në 9.5 lekë”, shtoi ai. /a.a/