Tre anëtarë të një familje shqiptare nga Kosova kanë ndërruar jetë në Gjermani, si pasojë e një aksidenti rrugor që mediat vendase atje e konsiderojnë si të tmerrshëm.

Familja shqiptare nga Kosova, po kthehej në Zvicër ku dhe jetonin pasi kishin kaluar disa ditë pushime në Ferizaj. Mësohet se në timonin e makinës tip Audi ka qenë gruaja 35 vjeçare, ndërsa në pjesën e pasme të makinës ndodhej burri 35 vjeçar, djali 12 vjeçar dhe vajza 11 vjeçe, kurse fëmija i tretë, një djalë 18 vjeçar ndodhej pasagjer në vendin e parë.

Newsbomb.al mëson se aksidenti i rëndë ka ndodhur në autostradën B31, midis Meersburg dhe Uhldingen-Mühlhofen, 50 km në hyrje të kufirit me Zvicrën. Sipas Policisë, gruaja po drejtonte Audin nga Uhldingen drejt Friedrichshafen, kur makina ka rrëshqitur dhe ka dalë në korsinë e kundër të rrugës. Kjo dalje ka qenë fatale për të pasi është përplasur “kokë më kokë” me një kamion.

Babai 35 vjeçar dhe djali 12 vjeç kanë ndërruar jetë në vendngjarje si pasojë e përplasjes së fuqishme, ndërsa djali tjetër 18 vjeçar është dërguar me helikopter në spital, por s’ka mundur të mbijetojë, raporton newsbomb.al. Ndërkohë, gruaja 35 vjeçare që drejtonte makinën dhe vajza e vetme e famijes, 11 vjeçarja që ishte ulur në sediljen pas, kanë arritur të shpëtojnë, por ndodhen në spital me plagë të rënda.

Gruaja është nxerr e fundit nga makina dhe bashkë me vajzën janë dërguar në spitalin më të afërt me helikopter. Gjithashtu, i plagosur lehët ka mbetur dhe shoferi i kamionit që u përplas me Audin ku udhëtonte familja shqiptare nga Ferizaj i Kosovës. Identitetet e asnjërit prej tyre nuk bëhen të ditur.

Për disa orë, autostrada është mbyllur nga Policia deri në nxjerrjen e trupave dhe hetimin e plotë të ngjarjes, ndërsa është krijuar një nyjë për lehtësimin e trafikut, raporton newsbomb.al. Për lajmin e trishtë ka reaguar dhe Ambasada e Kosovës në Berlin e cila e konsideron javën e fundit, javë të zezë për Kosovën dhe shqiptarët. Brenda kësaj jave 5 shqiptarë të Kosovës kanë ndërruar jetë në Gjermani dhe do të kthehen në vendin e tyre me arkivol.

Në fillim të javës, dy vëllezër nga Deçani i Kosovës, 13 dhe 17 vjeç u përplasën për vdekje nga një tren në Mynih. /NEWSBOMB.AL.