Në projektligjin për amnistinë fiskale dhe penale i cili ka mbërritur në Kuvend për shqyrtim në komisionet Parlamentare, e që synon injektimin me likuiditet të ekonomisë në kushtet e krijuara, pas dy tërmeteve që goditën vendin tonë vitin që lamë pas dhe pandemisë së COVID-19, përcaktohen qartë procedura e deklarimit vullnetar të pasurive dhe e pasqyrave financiare.
Bëhet fjalë për një amnisti në shkallë të gjerë, pa limit kohor në të kaluarën, ku përjashtohen politikanët, paratë e krijuara nga aktiviteti kriminal dhe kategoritë që kanë patur detyrë deklarimin rregullisht të pasurisë.
Nga kjo amnisti fiskale e penale pritet të legalizohen shuma të konsiderueshme, të cilat duke u falur nga informaliteti fiskal deri tani, mund të investohen në forma të ndryshme në ekonominë e vendit, duke u bërë kapitale të pastra me ndikim në zhvillimin ekonomik e social të vendit.
Por, si është parashikuar procedura e deklarimit vullnetar të pasurive dhe i pasqyrave financiare?
Subjektet e këtij ligji mund të deklarojnë vullnetarisht pasuritë dhe elemente të pasqyrave financiare, pavarësisht nëse pasuritë, në tërësi apo pjesë të tyre, janë të padeklaruara apo të paregjistruara në autoritetet kompetente, apo ndodhen ose jo në territorin e shqiptar.
Deklarimi vullnetar i pasurive apo i pasqyrave financiare kryhet pranë Njësisë Speciale, strukturë e cila do të ngrihet pranë Administratës Tatimore, nëpërmjet paraqitjes së një vetëdeklarimi, sipas formularit që do të publikohet nga ministria e Financave.
Njësia Speciale, brenda 2 ditëve nga depozitimi i formularit të deklarimit vullnetar, pajis biznesin, individin ose përfaqësuesin e tij me një kopje të formularit të vetëdeklarimit të certifikuar nga Njësia.
Procesi i deklarimit vullnetar fillon me depozitimin e formularit të deklarimit vullnetar dhe përfundon me pajisjen e subjektit me vërtetimin përkatës, të lëshuar sipas parashikimeve të këtij ligji.
Shumat në të holla depozitohen në llogari bankare të bankave të nivelit të dytë. Deklarimet dhe veprimet e kryera në kuadër të kësaj procedure nga ana e përfituesve, në lidhje me llojin dhe vlerën e pasurisë që deklarojnë vullnetarisht në formularin përkatës, nuk shërbejnë si pikënisje apo provë për ndjekjen apo procedimin penal dhe/ose administrativ të subjekteve përfituese.
Banka apo institucionet e tjera financiare, që veprojnë në kuadër të këtij ligji, njoftojnë menjëherë Njësinë Speciale mbi depozitimin e shumës në të holla dhe përputhshmërinë e kësaj shume me vlerën e deklaruar në formular.
Nëse pasuritë e deklaruara janë pasuri të paluajtshme apo pasuri të luajtshme të regjistrueshme, me përfundimin e procesit të deklarimit vullnetar të pasurive, sipas parashikimeve të këtij ligji, subjekti përfitues ka prioritet në kryerjen e regjistrimit të pasurisë. Vërtetimi i përfundimit të procesit të deklarimit vullnetar nuk përbën regjistrim të këtyre pasurive.
Në p/ligj përcaktohet edhe procedura e deklarimit vullnetar të elementeve të veçanta të pasqyrave financiare.
Bizneset mund të rideklarojnë elemente të veçanta të aktiveve, të detyrimeve apo të kapitaleve të veta të pasqyrave financiare të shoqërisë, me synimin për të siguruar një paraqitje reale, të vërtetë dhe e drejtë të çdo elementi të aktiveve dhe të detyrimeve të këtyre pasqyrave.
Kjo u hap rrugën atyre të kreditohen më lehtë nga sistemi bankar, pasi një pjesë e biznesit ndër vite kanë krijuar një diferencë midis realitetit dhe pasqyrave financiare dhe sot kjo situatë ju krijon një ngërç edhe në avancimin e tyre ekonomik.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar më herët se amnistia po bëhet për pastrim parash të njerëzve të inkriminuar pranë qeverisë.
“Emigrantët janë perdja pas së cilës fshihet favorizimi i klientelës kriminale”, është shprehur Basha.
Sipas tij, amnistitë fiskale nuk bëhen kurrë pa një konsensus të gjerë shoqëror, pa një konsensus të madh midis faktorëve të ndryshëm të gjithë shoqërisë dhe duhen në kohë të qeta, në kohë stabiliteti.
Por, kryemimsitri Edi Rama që në krye të herës ka deklaruar se nga amnistia e përgjithshme fiskale do të përjashtohen kategorikisht të gjithë ata që i kanë të ardhurat e tyre nga krimi.
“Amnistia e përgjithshme fiskale dhe penale do të rrisë shumë kapacitetin ekonomik të gjithë individëve që kanë kursime por do të jetë edhe një kontribut i madh për ekonominë e vendit”, ka deklaruar më herët kryeministri Edi Rama.
“Amnistia e përgjithshme fiskale dhe penale është për të gjitha kursimet në të zezë të gjithë emigrantëve që kanë 30 vite që punojnë e kursejnë, që t’i fusin në bankë dhe t’i formalizojnë duke mos patur frikë të sjellin në Shqipëri lekë”, është shprehur Rama.