ATSH-AFP/ – Antitrupat e drejtuar kundër proteinave spike të virusit COVID-19 vazhdojnë deri në 13 muaj pas infektimit, sipas një studimi nga Spitali Universitar i Strasburgut (CHU).

Një studim italian, i botuar në fillim të majit për këtë temë, njoftoi se antitrupat që neutralizojnë COVID-19 mbetën në gjak për të paktën tetë muaj pas infektimit.

Studimi i Strasburgut ndoqi 1 309 persona për më shumë se një vit, 393 prej të cilëve ishin infektuar tashmë me COVID-19.

“Nga grupi i fundit, një vit pas infektimit, 97% e individëve i kanë ruajtur antitrupat e tyre anti-S, të drejtuara kundër proteinës spike, që e lejon virusin të sulmojë qelizat njerëzore”, tregon një njoftim për shtyp nga CHU.

Duke krahasuar numrin e riinfektimeve, që ndodhën gjatë studimit në këtë grup, me numrin e infektimeve të reja në grupin e kontrollit prej 916 personave, studiuesit llogaritën se rreziku i prekjes nga sëmundja “zvogëlohet me 96,7% në personat e infektuar më parë”, falë “qëndrueshmërisë afatgjatë të antitrupave anti-S”.

Shkencëtarët vunë në dukje, gjithashtu, se trembëdhjetë muaj më vonë, përqendrimi i këtyre antitrupave në trup bën të mundur neutralizimin e “virusit të egër” (forma fillestare e virusit) dhe variantit britanik, por jo të Afrikës së Jugut.

Studimi thekson se vaksinimi, edhe në një dozë të vetme, “forcon mbrojtjen ndaj varianteve, duke rritur ndjeshëm sasitë e antitrupave”./ /ervo/