ATSH- A. Fortuzi/- Shkeljet e gjetura nga Komisioni hetimor parlamentar për shkeljen e Kushtetutës lidhur me shfuqizimin e dekretit nga ana e presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit dhe për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nuk mjaftojnë për të shkarkuar Presidentin, por nevojitet ndërhyrje ligjore.
Relatorja e PS, Klotilda Bushka prezantoi raportin paraprak të hetimeve të Komisionit Parlamentar të ngritur “Për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore si dhe për të kontrolluar e ligjshmërinë e veprimeve dhe procedurës të ndjekur nga Presidenti i Republikës në kuadër të emërimit të gjyqtarëve kushtetues”.
Në fjalën e saj, Bushka tha se “shkeljet e bëra nga Presidenti Ilir Meta, nuk janë të mjaftueshme për shkarkimin e tij, por na nxit të propozojmë ndryshime ligjore për të mos pasur më situata të tilla”.
Ajo tha se “në kuadër të zgjedhjeve të 30-qershorit, Presidenti ka bërë disa shkelje. “Në lidhje me zgjedhjet e 30 qershorit 2019, sa i takon caktimit të datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes lokale, referuar nenit 92, presidenti ka vetëm një detyrë, ta saktësojë atë (datën), jo ta anulojë. Kjo kompetencë ushtrohet nga presidenti vetëm njëherë, sipas legjislacionit të zgjedhjeve. Ndryshimi i datës së zgjedhjeve nuk është pjesë e punës së presidentit. Pra, kemi një shkelje sa i takon shfuqizimit të dekretit për zgjedhjet e 30 qershorit 2019 për zgjedhjet lokale”,- tha Bushka.
“Po ashtu është gjetur shkelje në argumentimin e bërë nga Presidenti për veprimet e tij. Nuk ka pasur bazë ligjore për anulimin apo shtyrjen e zgjedhjeve me argumentin e sigurisë. Arsyet e sigurisë kombëtare janë të normuara me ligj dhe ka mënyra se si veprohet në këto raste dhe nuk është faktuar në këtë rast cenimi i sigurisë kombëtare. Me anulimin apo shfuqizimin e datës së zgjedhjeve, është hequr dhe drejta për të zgjedhur, si dhe u cenua gjithashtu sovraniteti i popullit që duhet të zgjedh njëherë në katër vite, pra atë që ne e cilësojmë si periodicitet i zgjedhjeve. Për sa më sipër, ne arrijmë në konkluzionin se ka pasur shkelje sa i takon zgjedhjeve të qershorit për anulimin e datës së zgjedhjeve”,- tha Bushka.
“Po ashtu në kuadër të punës së Komisionit Hetimor, për të vlerësuar argumentin e cenimit të sigurisë, janë marrë në konsideratë e gjithë praktikat e administruara edhe nga organet e Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, ku rezulton se tensione ka pasur dhe që këto vihen re edhe në kuadër të veprave penale të referuara në prokurori atë periudhë, por nuk ka pasur dhunë të tillë që do ta nxirrnin jashtë kontrollit situatën. Qytetarët votuan, zgjedhjet u organizuan në mënyrë të qetë dhe ato tensione që u shfaqën ishin të menaxhueshme nga organet e rendit dhe gjithsesi nuk pati pasoja serioze. Pra, shkeljet qëndrojnë dhe në këto kushte kërkesa e 55 kolegëve deputetë për ngritjen e këtij komisioni hetimor ka rezultuar e drejtë pasi ka patur shkelje, ashtu siç ka konfirmuar edhe Komisioni i Venecias.”,- tha Bushka.
“KQZ mundi të realizojë një proces që arriti më në fund me konkludimin e tij duke shpallur rezultatin për kryebashkiakë dhe anëtarë të këshillit bashkiak, zgjedhjet të cilat morën dhe vlerësimin e OSBE/ODIHR. Në opinionin e Komisionet të Venecias, këto çështje analizohen se bojkoti i partive politike nuk mund të justifikojë mos mbajtjen e zgjedhjeve. Presidenti i vendit ka shkelur dhe parimin e unitetit të popullit, duke nënshkruar dekretin për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet e 30 qershorit, duke mbajtur anën e atyre që bojkotojnë, duke zhbalancuar të drejtat e asaj pale që kërkon të ecë përpara duke zbatuat të drejtat demokratike të popullit.”,- tha më tej deputetja Bushka.
“Në lidhje me emërimin e gjyqtarëve të Kushtetueses. Të gjitha veprimet e kryera nga presidenti sipas kolegëve përbëjnë shkak për shkarkimin e Presidentit. Komisioni mori në analizë provat dhe kemi arritur në konkluzionin se për këto çështje referencë duhet bërë në opinionin e Komisionit të Venecias. Ka konkluzione që e ndihmojnë komisionin hetimor për veprimet e presidentit nëse jemi përpara një shkelje të rëndë. Opinioni ka thënë se bllokimi i Kushtetueses janë shkaktuar nga disa faktorë; mosfunksionimi i KED-së, kushtetuta parashikon që të betohen menjëherë, numri i kufizuar i kandidatëve, barrierë mes Kuvendit dhe Presidentit, disa vende vakante njëherësh, probleme me dispozitat e paqarta dhe procedura u bë objekt i konfliktit. Në lidhje me mekanizmin zhbllokues duket se ka ndikuar një konflikt thotë Venecia. Komisioni i Venecias ka rekomanduar edhe disa përmirësime legjislative për të shmangur konfliktin për emërimin në Kushtetuese”, tha Bushka.
“Bazuar te faktorët e shprehur nga Venecia, Komisioni Hetimor çmon që të japë rekomandime për situatat bllokuese dhe dihen nxitur institucionet për të forcuar bashkëpunimin. Në lidhje me këtë set të shkeljeve, ajo që komisioni hetimor, që do të vendosim bashkarisht që rezulton nga gjetjet, është e qartë se kemi shkelje si për zgjedhjet e 30 qershorit ashtu edhe për emërimet e gjyqtarëve të Kushtetueseve”,- tha Bushka.
“Nisur nga provat dhe natyra e komisionit hetimor që është teknik dhe jo politike, jemi fokusuar te analiza e provave dhe rezultuan disa shkelje si në kuadër të ushtrimit të kompetencave për shkeljet, por edhe emërimet në Kushtetuese, që analizohen në raport. Këto shkelje referuar rrethanave dhe pasojave dhe fakti që komisioni nuk mund të shprehet se janë ekskluzivitet i gjykatave, janë shkelje që kanë natyrë që diktojnë marrjen e masave të menjëhershme për plotësimin e aktit kushtetueses për evitimin e situatave bllokuese, por nuk janë të mjaftueshme për të justifikuar shkarkimin e Presidentit”-, përfundoi Bushka.
Deputeti Halit Valteri, relator i opozitës parlamentare në Komisionin Hetimor, u shpreh se “ky komision ka dalë nga qëllimi i ngritjes së tij dhe po kthehet në pazarin e radhës mes mazhorancës dhe Presidentit”.
Ai nënvizoi se opozita parlamentare i qëndron qëllimit për të cilin u ngrit ky komision dhe presidenti duhet shkarkuar.
“Një vit më parë akuzuan presidentin si puçist të kushtetutës, si njeriun që shkeli ligjin themeltarë të shtetit, në vend që të ishte garant i saj. Më tej u tha se s’duhet të qëndrojë asnjë ditë të vetme në detyrë pas shkeljeve të rënda të Kushtetutës. Për ju zhdekretimi i 30 qershorit ishte atentat ndaj Kushtetutës. Sot tabloja ka ndryshuar. Sot një vit më vonë nga nisja e punës, veprimtaria e këtij komisioni është në pikën 0, nuk flitet më për shkarkim të presidentit të republikës, pasi nuk ishit në gjendje të faktonit shkeljet në kushtetutë të presidentit, por futët në lojë dhe çështjen procedurale për anëtarët e gjykatës kushtetuese. Ky komision ka dalë jashtë objektit të tij”,- tha Valteri.
“Ne, si opozitë parlamentare, kemi të gjitha provat e administruara si për pjesën e anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit, ashtu dhe për çështjen e gjykatës kushtetuese, Opozita parlamentare kërkon shkarkimin e Presidentit të Republikës, për shkeljet në 30 qershor. Për anëtarët e Kushtetutës nuk na intereson, nuk ishte objekt i kësaj çështje“,- nënvizoi Valteri.
Kreu i Komisionit, Ulsi Manja tha se dy raportet e mazhorancës dhe opozitës do t’i kalojnë Kuvendit. “Si kryetarë i komisionit, raporti i mazhorancës bazuar në Nenin 22 të ligjit për organizimin për funksionimin, do t’i kërkojmë Kuvendit miratimin e raportit përfundimtar prej 44 faqe të mazhorancës me gjetjet e realizuara nga mazhoranca, si dhe do t’i bashkëngjisim raportin prej 22 faqesh të opozitës parlamentare që mbështet pjesërisht objektin e këtij komisioni, pra shkarkimin e Presidentit. Ne si mazhorancë kemi qëndrimin e pasqyruar në raportin e znj. Bushka. Mazhoranca nuk i propozon Kuvendit shkarkimin e presidentit, por gjykon se shkelja sipas komisionit nuk çon në shkarkim të Presidentit të Republikës, por na nxit për të bërë dhe rekomandimet përkatëse. Të hënën do votojmë raportin përfundimtarë”,- tha Manja. /a.g/