ATSH/- Një studim i ri i kryer nga studiues të Universitetit të Kalifornisë, San Diego dhe institucione partnere në SHBA, sugjeron se “semaglutidi” – një ilaç sintetik, që imiton veprimin e hormonit natyral GLP-1 –  të ngadalësojë plakjen biologjike në nivel të ADN-së.

Semaglutidi është një version sintetik i një hormoni natyral (GLP-1) që ndihmon trupin të ulë nivelin e sheqerit në gjak, të ngadalësojë zbrazjen e stomakut dhe të uljë oreksin.

Për këtë arsye, ky ilaç përdoret kryesisht për trajtimin e diabetit të tipit 2, dhe humbjen e peshës te personat me obezitet ose mbipeshë.

Semaglutidi është një ilaç që imiton një hormon natyral për të kontrolluar sheqerin në gjak dhe oreksin.

Studimi, i publikuar në revistën shkencore “Nature Communications”, analizoi të dhënat e një prove klinike 32-javore, me 84 të rritur që vuanin nga lipohipertrofia, e lidhur me HIV-in, një gjendje që shoqërohet me plakje biologjike më të shpejtë.

Për të matur plakjen, shkencëtarët përdorën të ashtuquajturat “ora epigjenetike”, metoda që vlerësojnë moshën biologjike përmes ndryshimeve kimike në ADN.

Krahasuar me grupin “placebo”, pjesëmarrësit që morën “semaglutid” shfaqën një ritëm rreth 9% më të ngadaltë të plakjes biologjike.

Disa tregues sugjeruan gjithashtu një ulje të moshës biologjike me 3 deri në 5 vjet.

Sipas autorëve, efektet mund të lidhen me aftësinë e “semaglutidit”, për të ulur inflamacionin kronik, yndyrën viscerale rreth organeve dhe stresin metabolik, faktorë që konsiderohen nxitës kryesorë, të plakjes dhe sëmundjeve të lidhura me moshën.

Përmirësimet më të dukshme u vunë re, në treguesit që lidhen me trurin, sistemin kardiovaskular dhe proceset inflamatore.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se rezultatet duhet të interpretohen me kujdes.

Analiza e plakjes nuk ishte objektivi kryesor i studimit, numri i pjesëmarrësve ishte i kufizuar dhe të gjithë i përkisnin një grupi specifik pacientësh me HIV.

Për më tepër, matjet u bazuan në biomarkues molekularë dhe jo në jetëgjatësi apo në ulje të drejtpërdrejtë të sëmundjeve.

Ekspertët nënvizojnë gjithashtu se “semaglutidi” nuk është një ilaç pa rreziqe.

Efektet anësore më të zakonshme përfshijnë të përzierat, të vjellat, diarrenë, kapsllëkun dhe dhimbjet e barkut.

Në raste më të rralla janë raportuar probleme më serioze, si inflamacioni i pankreasit, çrregullime të tëmthit dhe humbje e konsiderueshme e masës muskulore.

Autorët theksojnë se, megjithëse rezultatet janë premtuese dhe përbëjnë një nga provat e para klinike, që një terapi e klasës GLP-1 mund të ndikojë, në proceset biologjike të plakjes, nevojiten studime më të mëdha dhe afatgjata, për të konfirmuar nëse këto ndryshime përkthehen në përfitime reale për shëndetin dhe jetëgjatësinë.

Për këtë arsye, studiuesit theksojnë se gjetjet nuk do të thonë se “Ozempic” duhet të përdoret si trajtim kundër plakjes. //a.i/